LAJMET E MBRËMJES

Me protestë kërkohet finalizimi i zgjerimit të rrugës Gjilan-Bujanoc

Disa qytetarë të Komunës së Gjilanit e shprehën me protestë pakënaqësinë për zvarritjen e punimeve të zgjerimit në rrugën magjistrale Gjilan-Bujanoc. Protesta u monitorua edhe nga forcat e Policisë së Kosovës e protestuesit kërkuan reflektim të autoriteteve të nivelit lokal dhe qendror. Ata paralajmëruan edhe një protestë tjetër, në rast se punimet e ndërprera nuk rifillojnë

Për rreth 15 minuta, qarkullimi i automjeteve në magjistralen Gjilan-Bujanoc është bllokuar të shtunën nga disa banorë e pronarë të bizneseve.

Nëpërmjet protestës së mbajtur në afërsi të fshatit Përlepnicë, ata kanë shprehur pakënaqësinë për zvarritjen që nga vitit 2019 i punimeve për zgjerimin e rrugës.

E për të mos e penguar trafikun, protestuesit janë paralajmëruar nga pjesëtarët e Policisë së Kosovës.

“Edhe ne të njëjtin problem e kemi. A po mendon që ne po kënaqemi a?”, u shpreh njëri nga pjesëtarët e Policisë së Kosovës, teksa bënte përpjekje t’i largonte ata nga rruga.

Prej aty, iniciuesi i tubimit, Endrit Isufi, u bëri thirrje autoriteteve lokale dhe atyre qendrore për përshpejtimin e punimeve.

“Ne të gjithë jemi dëshmitarë që në këtë pjesë nga qyteti e deri te hyrja e fshatit Përlepnicë punimet po shkojnë fort ngadalë për të mos thënë se janë ndalur krejt. Kur e shohim se si po lëvizin me shpejtësinë e breshkës, ne shqetësohemi dhe humbim shpresat se do të përfundojë kjo rrugë”, ka thënë Isufi. “Jemi mbledhur këtu si iniciativë qytetare për të shprehur pakënaqësinë tonë qytetare dhe për t’u bërë me dije përgjegjësve lokalë dhe qendrorë se nuk asfaltohet rruga me këto mjete pune, një ose dy ditë në javë”.

“Deri kur? Tregonani një datë. Pesë vjet? Gjashtë vjet? Ne po presim”, ka thënë një qytetar.

Pas përfundimit të fjalimeve, Njësiti Special i Policisë ndërhyri që rruga të rihapej.

E pas shpërndarjes nga rruga, disa nga protestuesit vazhduan të shprehin pakënaqësinë.

“Nuk ka as fije të shpresës që do të përfundojë një ditë më të afërt. Ka filluar shumë moti. Po neglizhohet dhe është duke na u bë pengesë e madhe në biznes”, ka thënë Afrim Bunjaku, pronar i një biznesi. “Jemi taksapagues, nuk përfillemi. Ne do të shprehim pakënaqësitë tona edhe ndryshe. Ndoshta edhe nuk do t’i paguajmë taksa këtij shteti”.

“Telashe shumë të mëdha. Shumica e kohës në kolonë. E kjo është pengesa më e madhe”, ka thënë një mërgimtar.

Në Komunën e Gjilanit e bënë zotimin se punimet për projektin e Ministrisë së Infrastrukturës do të rifillojnë shumë shpejt.

“E respektojmë të drejtën e gjithsecilit të shprehë një pakënaqësi që ka. Rreth asaj se pse po protestohet, po ju them edhe një herë se të gjitha hyrje-daljet e qytetit janë projekte të Ministrisë së Infrastrukturës. E kuptoj shqetësimin e banorëve, por punimet do të rifillojnë shumë shpejt”, ka thënë Besart Selimi, nga kabineti i kryetarit të Komunës së Gjilanit.

Por në këtë ministri, nëpërmjet një përgjigjeje për KOHËN, bënë të ditur se punimet që janë nisur të bëhen sivjet, janë ndërprerë shkaku i kushteve atmosferike.

“Këtë vit kanë filluar punimet më herët, me qëllim të punimit të shtresës qarkulluese në dy anët e shiritave qarkulluese deri në fund të qershorit. Punimet, për shkak të shiut të shpeshtë gjatë kësaj periudhe, kanë ngadalësuar intensitetin për shkak të kontrollit të ngjeshjeve. Javën në vijim, pritet të punohet shtresa me çimentim dhe shtresa qarkulluese me asfalt”, thuhet në një përgjigje të Ministrisë së Infrastrukturës. “Deri në fund të qershorit pritet që të asfaltohet segmenti deri në kyçjen në autoudhë. Gjatë kësaj kohe, është punuar me kapacitete të plota, por koha me shi ka zvogëluar dinamikën e punimeve, pasi që punimet e trupit të rrugës kërkojnë kushte atmosferike të mira”.

Në rast të mosrifillimit të punimeve, banorët kanë paralajmëruar edhe një protestë tjetër për të mërkurën e ardhshme.