Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Qeveria e lë për të hënën vizitën në Suharekën e pas vërshimeve

Tek të hënën, kryeministri Ramush Haradinaj do ta vizitojë Komunën e Suharekës, për t’i parë nga afër familjet e prekura nga vërshimet e katër ditëve më parë.

Zëdhënësja e Qeverisë së Kosovës, Donjeta Gashi, ka thënë se nuk mund të bëhet menjëherë kompensimi i dëmeve pa u bërë vlerësimi i tyre, raporton KTV.

Mirëpo, pas evidentimit të dëmeve se a kanë qenë ato ekonomi familjare apo bujqësore, do të caktohet forma e kompensimit.

Gashi thotë se qeveria ka mobilizuar mekanizmat relevantë për t’iu dalë në ndihmë banorëve të prekur nga vërshimet.

Ndryshe, të mërkurën, qeverisja lokale ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme në Suharekë, pasi i gjithë qyteti dhe më shumë se gjysma e fshatrave në këtë komunë kanë qenë të përmbytura.

Shumë banorë, mbrëmjen e së mërkurës, janë evakuuar pasi shtëpitë e tyre janë bërë të pabanueshme e shumë të tjerë janë strehuar tek të afërmit e tyre.

Në anën tjetër, kryetari i kësaj komunë, Bali Muharremaj, ka thënë se vlera e dëmeve është shumë e madhe dhe poashtu e papërballueshme.

Andaj, disa drejtori të kësaj komune do të punojnë edhe gjatë vikendit, që të hënën të jetë gati raporti i dëmeve.

Artikuj të ngjashëm