Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Pse ministri Sefaj kërkoi raportim pa prani të medieve

Ministri i Punëve të Brendshme, Flamur Sefaj, ka raportuar në Komisionin për Punë të Brendshme dhe Siguri për rrethanat e krijuara në Inspektoratin e Policisë së Kosovës, pas suspendimit të dy zyrtarëve të IPK-së. Por, raportimi i tij është bërë brenda dyerve të mbyllura dhe pa praninë e medieve, raporton KTV.

Pasi i kaloi gripi, ministri i Brendshëm, Flamur Sefaj, mblodhi forcat për të raportuar para deputetëve për skandalet e shumta brenda Inspektoratit Policor të Kosovës dhe vetë Policisë.
Por këtë kërkoi ta bëjë brenda dyerve të mbyllura dhe jashtë syrit të kamerës. Tha se ka informacione që prishin hetimet e nisura, edhe pse duke u bazuar në pushtetet e ndara, ministri nuk do të duhej të ishte në dijeni për ecurinë e hetimeve.

Gati gjysmë ore deputetët u munduan ta bindin Sefajn që në pjesën e parë të flasë për problemin e IPK-së, në prani të mediave dhe më pas ta mbyllnin takimin, por ai tha se do ta ketë të vështirë që ta ndajë, siç tha ai “demarkacionin” mes informatave për publikun dhe ato sekrete.

Pas 3 orësh raportim, ministri foli për mediat, ku theksoi se në IPK ka problem dhe se për këtë janë duke punuar së bashku.

Pohoi se suspendimin e Mehmetit e ka bazuar në ligj por nuk dha sqarime se përse zëvendësen e tij, Miradije Kelmendi, e cila ishte e përfshirë në të njëjtin skandal, e emëroi u.d. të kryeshefit.

Ndryshe, deputeti i LDK-së, Ismet Beqiri, tha se i kanë kërkuar Komisionit që të thërrasë në raportim edhe kryeshefin e suspenduar Hilmi Mehmeti.

Edhe Krijohet grup punues parlamentar për të mbikëqyrur zbatimin e Ligjit të IPK-së Arbëri Krijohet grup punues parlamentar për të mbikëqyrur zbatimin e Ligjit të IPK-së

Deputeti i Nismës, Milaim Zeka, pretendon se Mehmetit i është ngritur kurth nga anëtarë të komisionit përzgjedhës në IPK, të cilët kanë shkelur procedurat gjatë konkursit.

Zeka tha se ka ofruar fakte se brenda inspektoratit ka ekzistuar një departament i veçantë, i cili ka përgjuar gjithkënd.

Ndryshe, deputetët kanë themeluar Komisionin Hetimor, i cili do të monitorojë implementimin e ligjit për IPK-në nga vetë institucioni.