Këshilli Prokurorial ka mbajtur mbledhje të mbyllur pas vendimit të Gjykatës Supreme që e shpalli të kundërligjshëm shkarkimin e Besim Kelmendit nga pozita e ushtruesit të detyrës së kryeprokurorit. Në Institutin e Kosovës për Drejtësi kanë thënë se mbledhja do të duhej të ishte e hapur dhe të ftohej edhe Kelmendi. Ata kritikuan anëtarët e KPK-së edhe për mungesë llogaridhënieje
Këshilli Prokurorial i Kosovës ka mbajtur të enjten mbledhje pa praninë e publikut, pasi një ditë më parë Gjykata Supreme e shpalli të kundërligjshëm shkarkimin e Besim Kelmendit nga pozita e ushtruesit të detyrë së kryeprokurorit.
Në njoftimin e KPK-së thuhet se kryesuesi i Këshillit i ka njoftuar anëtarët se e kanë pranuar zyrtarisht vendimin e Supremes, por nuk u dhanë detaje rreth diskutimeve brenda Këshillit.
“Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), nën kryesimin e z. Ardian Hajdaraj, ka mbajtur sot një takim të jashtëzakonshëm, të 281-të me radhë, i cili është zhvilluar me dyer të mbyllura. Me këtë rast, Kryesuesi Hajdaraj njoftoi anëtarët e KPK-së për pranimin e aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës. Ndërkaq, çështjet të cilat ndërlidhen me zbatimin e këtij aktgjykimi do të trajtohen në takimin e radhës”, thuhet në njoftim.
Mbajtja e mbledhjes me dyer të mbyllura është kritikuar nga Instituti i Kosovës për Drejtësi.
Drejtori ekzekutiv i IKD-së, Ehat Miftaraj, ka thënë se ajo do të duhej të ishte e qasshme për publikun dhe të ftohej edhe Kelmendi në të.
“Sipas ligjit për KPK dhe rregullat e brendshme në sistemin prokurorial të Kosovës, ky takim i sotëm do të duhej të ishte i hapur për publikun. KPK-ja në këtë takim do të duhej të diskutonte lidhur me aktgjykimin e Gjykatës Supreme dhe zbatimin e tij. Pjesë e zbatimit të aktgjykimit të GJ.S. do të duhej të ishte informimi i prokurorit Agron Qalaj se i njëjti person më nuk është u.d. i kryeprokurorit të Shtetit nga dita e hyrjes në fuqi të këtij aktgjykimi, i cili anulon vendimin e kundërligjshëm të KPK për shkarkimin e z. Kelmendit. Në këtë takim do të duhej të ftohej z. Kelmendi si anëtar i KPK-së sipas detyrës zyrtare”, ka thënë Miftaraj.
Miftaraj ka kritikuar anëtarët e KPK-së edhe për mungesë llogaridhënieje.
“Është fat i madh për sistemin prokurorial, ku së paku pesë anëtarëve aktualë u skadon mandati më 1 janar 2026 dhe të njëjtit persona më nuk do të jenë pjesë e këtij institucioni kushtetues kaq të rëndësishëm. Ata fatkeqësisht kanë lënë trashëgimi shkeljet e ligjit, mungesën e llogaridhënies, kulturën e pandëshkueshmërisë në vitet e fundit. IKD-ja shpreson se përbërja e re e KPK-së nga viti i ardhshëm do të ketë vullnet për kthimin e ligjshmërisë në KPK dhe promovimin e vlerave dhe parimeve të sundimit të ligjit”, ka thënë ai.
Aktgjykimi i Supremes për ankesën e Kelmendit është publikuar të mërkurën.
Supremja ka konstatuar se KPK-ja nuk pati kuorum prej gjashtë anëtarësh kur e nxori vendimin për shkarkimin e Kelmendit.
Vendimin për shkarkimin e Kelmendit, Supremja e vlerësoi si të kundërligjshëm e arbitrar.