Arbëri

PSD-ja vendos flamuj të zinj në kryeqytet: Vrasjet e grave janë të paramenduara

Partia Socialdemokrate ka zhvilluar një aksion në kryeqytet duke vendosur parulla e flamuj të zi, për të kundërshtuar dhunën dhe vrasjen e grave.

Sipas PSD-së vrasjet e grave janë të paralajmëruara e të paramenduara.

“Në dhomën e ditës errësira ka zënë vendin e jetës. Çdo ditë është një goditje e re, ndonëse është përsëritje. Problemet në familje mbahen të izoluara, deri në momentin kur gruaja e tradhton këtë pakt. E shkelja asaj i kushton me jetë. Burri vret gruan”, thuhet në njoftim.

Sipas PSD-së, ato nuk janë vrasje në afekt, por dhunë e shfrytëzim sistematik që kulmojnë me vrasje.

“Kur fjala ‘neglizhencë’ përshkruan mosveprimin institucional, dihet që është gjuhë e zbutur për pjesëmarrje në vrasje. Patriarkati bashkëjeton me strukturën shfrytëzuese ekonomike dhe rendit represiv. Kufizimet dhe kushtëzimet që i vendosen gruas gjatë jetës janë po të njëjtat që në fund e vrasin Sa herë dëgjojmë që një burrë ka vrarë gruan, duhet ta dimë se aty ka pasur një luftë të gjatë, të mundimshme, se aty ka pasur shtypje e shfrytëzim. Secila krismë plumbi le si evidencë privilegje të cenuara të burrit, cenim të pushtetit. Sa herë trupi i pajetë i gruas shtrihet në dysheme, duhet nënkuptuar që aty është një histori rezistence”, thuhet në njoftim.

Këto qëndresa individuale, PSD-ja thotë se duhet të bashkohen e të kthehen në dije që formojnë dhe organizojnë bashkësi politike.

“Gratë që janë të privuara nga organizimi aktiv dhe nga pjesëmarrja në sferën publike duhet të jenë pjesë e diskursit dhe organizimit feminist. Hapësira private duhet të politizohet dhe gratë me pamundësi grumbullimi duhet të jenë po kaq pjesë e betejave për çlirim, përmes formave të reja të pjesëmarrjes. Nuk guxojmë që aktivitetin tonë dhe ndjeshmëritë për çështje të definohen nga përjetimet tona, të ndryshme nga ato të grave që nuk janë më. Përvojat tona mund të jenë të ndryshme, por lufta është e përbashkët”, thuhet tutje në njoftim.