(E përditësuar 15:00) - Zyrtari policor në rastin e të akuzuarve për sulmin në kanalin e Ibër-Lepencit në veriun e Kosovës, Astrit Hama, ka dhënë dëshminë e tij para trupit gjykues të Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Hama ka treguar se në datën në të cilën është arrestuar Jovan Viqentijeviq, ai doli vetëm në patrullim në fshatin Varagë dhe pasi ka hasur në të akuzuarin Viqentijeviq, tregon se ai ka qenë në uniformë ushtarake.
Hama ka treguar se tashmë i akuzuari, i ishte prezantuar me emrin Zoran porse më vonë e kishte kuptuar se në fakt quhet Jovan.
“Me datën e cekur (1 dhjetor) kam qenë në detyrë zyrtare dhe për shkak rastit që ka ndodhur, kam dalë në patrullim me një koleg, me një automjet të blinduar, gjatë patrullimit në Jasenovik dhe ne fshatra të tjera dhe është një rrugë Prevllak që lidhë me Klinë të Epërme. Në fshatin Varagë. Kemi vendos me ndalu, kemi vërejtur që janë dy persona, kanë qenë tabela të Leskovcit, për shkak se ka ardhë nga ai drejtim dhe automjeti ka qenë i llojit Sharan, e kemi ndaluar. Dy persona kanë qenë me dokumentacion të Serbisë, kurse personi i tretë nuk ka prezantuar dokumente, i kemi kërkuar dokumente, ka thënë që banon aty afër, në momentin që e kam ndezur baterinë e dorës, e kam vërejtur që ka qenë i uniformuar me uniformë ngjyrë kafe, ka pasur qizme ushtarake dhe të njëjtin e kam nxjerrë prej automjetit, e kam drejtuar nga automjeti jonë zyrtarë, i kam thënë të prezantojë çfarë ka në xhepa”, ka thënë ai.
Tutje në dëshminë e tij, ai ka thënë se dy personat e tjerë nuk kanë në kërkim porse pas dyshimeve për të akuzuarin që u prezantua me emrin Zoran, e kishte thirrur komandantin e policisë në vendin e ngjarjes, për ta shoqëruar pasaj Viqentijeviqin në stancionin e policisë.
Edhe
I akuzuari kryesor për sulmin në Varagë u ishte prezantuar policëve me emër të rremë
“I kam prezantuar dy telefona të mençur, edhe uniforma dhe e kam pyet çka punon, në jakne e ka pasur një zarf me 2000 dinarë dhe është prezantuar me emrin Zoran, e kam kqyrë a ka mjet tjetër, nuk ka pasë. Shoferin dhe pasagjerin i kam verifiku dhe kanë qenë në rregull, s’kanë qenë persona në kërkim, për personin Zoranin që u prezantu e kam thirrë komandantin në vend të ngjarjes, ka ardhë, i kam treguar dhe kemi vendosur me shoqëru ne stacionin e policisë, në Zubin-Potok. Zorani ka hipur në automjet me komandantin, personat e tjerë i kemi urdhëruar me përcjellë automjetin dhe i kemi dorëzuar aty. Unë kam vazhduar me punë të mija, më pas më kanë treguar që kanë vazhdu me detaje dhe më kanë tregu që personi nuk e ka emrin Zoran, por Jovan dhe dyshohet për rastin që akuzohet sot”, ka thënë Viqentijeviq.
“Provat në Itali” - Eksperti i ADN-së i përgjigjet mbrojtjes së të akuzuarve për “Ibër-Lepencin”
Në rastin ndaj vëllezërve Jovan dhe Dragisha Viqentijeviq, të akuzuar për sulmin ndaj kanalit të Ibër-Lepencit, dëshmitari Fatmir Ademi, drejtor i Departamentit për Kimi dhe Biologji në Agjencinë e Kosovës për Forenzikë, ka thënë se rezultatet e analizave të ADN-së janë konfirmuar plotësisht edhe nga laboratori në Itali.
Në ditën e dytë të dëshmisë, Ademi ka thënë se janë gjetur 7 prova në vendin e ngjarjes e se nga 51 dëshmi të analizuara asnjëri prej të akuzuarve nuk është përjashtuar.
“Ekspertiza është kryer në laboratorin e ADN-së, në Prishtinë dhe jo në Itali. Ne përveç tjerash e kemi bërë analizimin edhe në mungesë të softuerit, para se me shku në Itali. Ne i kemi krahasuar dhe kemi bërë një vlerësim tonin edhe para interpretimit nga italianët. Vendimin për dërgim për interpretim në Romë e ka bërë Prokuroria dhe jo ne. Ne kemi dërguar rezultatet që ne i kemi nxjerrë me ekspertizën e ADN-së”, ka thënë ai kur është pyetur nga mbrojtësi i të akuzuarit Jovan Viçentijeviq, avokatit Nebojsha Vllajiq.
Mbrojtësi i të akuzuarit Dragisha Viçentijeviq, avokati Millosh Deleviq e ka pyetur dëshmitarin nëse në mesin e 7 provave, a është vërtetu çfarëdo lloj përputhshmërie me të akuzuarin Viçentijeviq. Dëshmitari u përgjigj, se “jo nuk është vërtetuar”.
Më 9 dhjetor të vitit të shkuar, Prokuroria Speciale ka njoftuar për ngritjen e aktakuzës ndaj tre të pandehurve për shpërthimin që ka ndodhur më 29 nëntor të 2024 në fshatin Varagë të Zubin-Potokut, komunë kjo në veri të Kosovës që është e banuar kryesisht me serbë. Në aktakuzën, të cilën e ka ngritur prokurori Bekim Kodraliu, bëhet e ditur se Jovan Viqentijeviq i ka thënë Prokurorisë se është trajnuar në poligonin e ushtrisë serbe “Pasulanske Livade”, bashkë me rreth 120 persona të tjerë, në periudhën midis 14 e 23 shtatorit të 2023-s. Gjatë kësaj periudhe kohore, bazuar në aktakuzën për sulmin terrorist në Banjskë, të ndërmarrë nga serbë të armatosur dhe të uniformuar, stërvitje në poligonin “Pasulanske Livade” ka kryer edhe grupi i Milan Radoiçiqit. Në bazë të kësaj aktakuze, grupi që e ka kryer sulmin në Banjskë, i ka realizuar stërvitjet ushtarake në datat 19 dhe 20 shtator 2023.
Edhe
Dëshmitari në rastin “Ibër-Lepenci”: 20 nga 24 mostrat përputheshin me ADN-në e të akuzuarit Viqentijeviq
Jovan Viqentijeviqi i ka thënë prokurorisë se edhe në Kosovë u pati planifikuar që të ndërmerrej edhe një sulm tjetër në tetor të vitit të shkuar, porse atë e ka anuluar Radoiçiqi. Sipas asaj që Viqentijeviqi ia ka thënë Prokurorisë, për këtë sulm pritej përfundimi i zgjedhjeve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) dhe fitorja e Donald Trumpit. Viqentijeviqi ka thënë gjithashtu se Radoiçiqi e ka mbështetur fushatën elektorale të Trumpit me 30 milionë dollarë, nëpërmjet lobit serb në SHBA.
Një ekspertizë e kryer nga Byroja Federale amerikane e Hetimit (FBI), e cila është pjesë e aktakuzës, ka treguar se në çizmet e të akuzuarve është gjetur dhe që bazuar në strukturën, ngjyrën dhe përbërjen ka qenë e njëjtë me atë të marrë si mostër në kanalin e “Ibër-Lepencit”.