Kompani të ndryshme të autobusëve kanë protestuar sot në Stacionin e Autobusëve në Prishtinë për shtrenjtimin e tarifës për linjat ndërkombëtare si Kosovë-Gjermani, çmimi i të cilit ka qenë 15 euro, nga sot do të jetë 20 euro.
Gjithashtu, është aplikuar edhe një tarifë, në ardhje nga Gjermania për shkarkim të udhëtarëve në stacion të autobusëve, është aplikuar një çmimore prej 20 euro për çdo autobus.
Ata kanë kërkuar që të pezullohet ky vendim që është marrë deri më 30 shtator të këtij viti.
Anëtari i këshillit të kompanive, Naser Januzi nga Barileva Tourist, tha për KosovaPress, se kanë kërkuar që të gjendet një ngritje e përballueshme mes transportuesve dhe stacionit, të cilët i kanë premtuar deri nesër në ora 12:00 se do ta shqyrtojnë me bordin kryesues.
“Ne për linjat ndërkombëtare, Kosovë-Gjermani e kemi pasur çmimin 15 euro, kurse tash është bërë 21 euro për të njëjtën nisje. Është aplikuar edhe një tarifë në çmime, në ardhje nga Gjermania për shkarkim të udhëtarëve në stacion të autobusëve e kanë aplikuar një çmimore prej 20 euro, për çdo autobus. Kërkesat e tona sot kanë qenë për pezullimin e vendimit që e kanë marrë deri me 30 shtator dhe kemi pasur kërkesa për t’u dakorduar në mënyrë të dyanshme dhe me gjet një ngritje të përballueshme mes transportuesve dhe stacionit dhe na kanë premtuar që deri nesër në ora 12:00 do ta shqyrtojnë me bordin kryesues dhe do na japin përgjigje”, tha Januzi.
Januzi shtoi se nëse nuk anulohet vendimi i tyre, të gjitha shoqatat rajonale në Kosovë janë të pajtimit për të hyrë në grevë dhe ta bojkotojnë të gjithë Stacionin e Autobusëve në Prishtinë.
“Nëse nuk anulohet vendimi i tyre të gjitha shoqatat rajonale dhe Unioni i Shoqatës të Transportuesve në Kosovë, janë të pajtimit për të hyrë në grevë dhe me bojkotua të gjithë stacionin e autobusëve”, shtoi Januzi.
Ai ka paralajmëruar se nëse të mërkurën deri në ora 12:00 nuk do të marrin një përgjigje, do të protestojnë përsëri deri në një vendim tjetër të tyre.