Arbëri

Prokuroria s’e ndjek penalisht shtetasin e Shqipërisë që përdhosi flamurin e Kosovës

Prokuroria s’e procedon penalisht shtetasin e Shqipërisë që përdhosi flamurin e Kosovës

Shtetasi i Shqipërisë që e shkeli flamurin e Kosovës në sheshin e Prishtinës një ditë më parë nuk është procedurar penalisht. Prokuroria Themelore në Prishtinë e ka konfirmuar se në rastin e personit që përdhosi flamurin shtetëror para objektit të Kuvendit të Kosovës nuk ka vërejtur vepër penale.

“Lidhur me pyetjen tuaj ju njoftojmë se Prokurori i shtetit ka vlerësuar që nuk ka elemente të veprës penale, andaj kjo çështje ka kaluar në kundërvajtje për prishjen e rendit të qetësisë publike”, ka thënë për KOHËN, Kaltrina Shala, zëdhënësja e Prokurorisë së Prishtinës.

Ramadan Nishori, burri i parë që e theu heshtjen për dhunën seksuale gjatë luftës, e i cili e pa përdhosjen e flamurit të Kosovës reagoi kundër shkeljes së flamurit, duke ia marrë nga këmbët dhe duke i thënë shtetasit të Shqipërisë se “nuk mund ta bësh këtë me flamurin tim”.

Si ka vepruar në të kaluarën Prokurori i Shtetit për përdhosjen e simboleve të tjera?

Përdhosja e simboleve që përfaqësojnë shumicën shqiptare dhe komunitetet jo-shumicë është ndjekur më herët nga Prokurori i Shtetit dhe është dënuar nga gjykatat në Kosovë. Zakonisht personat që kanë përdhosur simbole kombëtare janë ndjekur për nxitje të përçarjes dhe mos-durimit.

Gjykata Themelore në Prishtinë e ka dënuar me 1000 euro gjobë një shqiptar nga Gjakova për djegien e flamurit të Serbisë në një ndeshje futbolli, me 1000 euro gjobë me kusht një shqiptar i cili në Prizren e ka hedhur në lumë flamurin turk që e nxori nga një shtyllë afër Kuvendit Komunal.

Vitin e kaluar, Gjykata Themelore në Gjilan e ka dënuar me 2000 euro me kusht një serb nga Kllokoti, i cili edhe e ka pranuar që e ka vendosur në kishën e fshatit një flamur serb me hartë të Kosovës e ku shkruhej “S’KA DORËZIM”.

Prokuroria Speciale së fundi ka ngritur aktakuzë ndaj një mësuesi i cili sipas prokurorisë “ia ka marrë (v.j një nxënëseje) flamurin kuqezi dhe plisin dhe, me gjithë kundërshtimet e nxënësve, i ka hedhur në shportën e mbeturinave”.

Për nxitje të përçarjes janë ndjekur edhe shtetas të Serbisë e Malit të Zi, të cilët kanë bërë thirrje urrejtëse ndaj shqiptarëve, kryesisht gjatë kremtimit të Vidovdanit. Në të shumtën e rasteve ata janë dënuar me dëbim nga shteti dhe ndalim të hyrjes në Kosovë për pesë vjet.

Së fundi, për këtë vepër penale, e ka pranuar fajësinë Igor Popoviqi, i cili në një fjalim në Hoçë të Madhe të Rahovecit e quajti Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës “organizatë terroriste”.