Krahas dy personave që janë arrestuar këtë muaj për gjuhën që nxit urrejtje në bazë kombëtare a fetare, tri aktakuza janë ngritur në prill dhe maj. E, aktgjykimet e deritashme tregojnë për dënime të buta. Për katër vjet, vetëm dy dënime janë dhënë me burgim efektiv. Ekspertët e komunikimit dhe ata të sigurisë thonë se gjuha e urrejtjes po shfaqet në përmasa të mëdha, sidomos në hapësirat online
Vetëm gjatë prillit dhe majit të sivjetmë Prokuroria Speciale ka ngritur tri aktakuza për nxitje të përçarjes dhe mosdurimit. Njëra iu ngrit një arsimtari në kryeqytet, i cili ka hedhur në mbeturina flamurin kombëtar shqiptar që një nxënëse e mbante për festën e 28 Nëntorit, veprim që sipas prokurorisë e bëri shkaku i bindjeve fetare. Tjetra një ndaj një shqiptari që grisi faqet e Kuranit në qendër të Prizrenit. Ndërkaq, aktakuza e tretë u ngrit ndaj një serbi të veriut, meqë ka mbajtur bluzë me mbishkrimin “nuk e japim tokën e Car Dushanit”, me hartë të Kosovës në të.
E, më 22 maj janë arrestuar dy persona, njëri në Fushë-Kosovë e tjetri në Malishevë, nën dyshimin se përmes rrjeteve sociale kanë përhapur urrejtje mes komuniteteve fetare që jetojnë në Kosovë.
Alban Zeneli është profesor i Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës, dhe thotë se përhapja e gjuhës së urrejtjes ka marrë përmasa të mëdha, sidomos në hapësirat online.
“Në mënyrë paradoskale, gjuha e urrejtjes që e shohim online gati është normalizuar. Gati është bërë e zakonshme që të ketë gjuhë të urrejtjes në mediat online dhe po ashtu është shumë më vështirë e evidentueshme nga ana e një prokurori apo nga ana e organit të akuzës të cilët do ta akuzonin dikë për gjuhë të urrejtjes. Provat fizike, pra të shtypura apo të formave të tjera janë më lehtë të gjindshme nga ana e organeve të drejtësisë dhe më lehtë të argumentueshme. Kjo besoj duhet të jetë shpjegimi se pse ka më shumë raste gjyqësore që “offline” ka më shumë raste të gjykuara sesa për gjuhën e përdorur në platformat online”, ka theksuar Zeneli.
Nga 14 aktgjykime të shpallura nga viti 2021 e deri tash, e të cilat janë të qasshme, tri janë për urrejtjen e nxitur nëpërmjet rrjeteve sociale.
Për komente të tilla ndaj komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian, e që janë publikuar në Facebook, u dënua në Prishtinë një i akuzuar me një vit burgim me kusht. Ndërkaq, një tjetër në Pejë u dënua me gjashtë muaj burgim me kusht, për koment urrejtës ndaj boshnjakëve.
Një shtetas i Serbisë është dënuar po ashtu me pesë muaj burgim për një video që e ka publikuar në Tik-Tok, e në të cilën shqiptarët i shau dhe i quajti “terroristë”.
“Shumë qytetarë të Kosovës nuk e kanë të qartë saktësisht që komentet që i bëjnë që nga TikToku ose Facebooku janë komente që janë të barasvlefshme me fjalën publike, pra nuk e keni shkruar në Facebookun tuaj ose në momentin që e keni shkruar në profilin tuaj dhe e keni lënë publik atë koment, ju keni ushtruar të drejtën e fjalës publike e cila vjen bashkë me përgjegjësinë e fjalës publike që nënkupton të mos nxitësh, të mos shpërndash gjuhë të urrejtjes, të mos kërcënosh...”, është shprehur Zeneli.
Prokuroritë i kanë përfunduar lëndët relativisht lehtë, pasi të akuzuarit e kanë pranuar fajësinë në tetë nga 14 rastet që i ka analizuar KOHA.
Me dy vjet burgim me kusht është dënuar një shqiptar nga Peja që e ka shkruar grafitin “UÇK-Kosova” në murin e shtëpisë së një serbi në Gorazhdec, me 1000 euro gjobë është dënuar një shqiptar nga Gjakova për djegien e flamurit të Serbisë në një ndeshje futbolli, me 1000 euro gjobë me kusht një shqiptar i cili në Prizren e ka hedhur në lumë flamurin turk që e nxori nga një shtyllë afër Kuvendit Komunal. E më 2021, Gjykata në Gjakovë e ka dënuar një të akuzuar për një libër, e mbushur me gjuhë urrejtjeje ndaj xhamive, kishave, teqeve, e turqve. Libri edhe është konfiskuar.
Ndërkaq, te serbët problematikë e vazhdueshme ka qenë mënyra e kremtimit të Vidovdanit – ditë që lidhet edhe me mitin mbi betejën e Kosovës që e kremtojnë në Gazimestan, në periferi të Prishtinës. Aty, Policia vazhdimisht i ka detyruar pelegrinët t’i heqin bluzat me mbishkrime që përçojnë mesazhe urrejtjeje ndaj shqiptarëve.
Në 2022-tën, një shtetas të Serbisë Themelorja në Prishtinë e ka dënuar me tetë muaj burgim, shkaku që ka mbajtur flamuj serbë me hartë të Kosovës, me mbishkrimin “s’ka dorëzim” si dhe më pas ka bërë thirrje “vrite, vrite shqiptarin!”. Ndërkaq, më 2021, një tjetër shtetas serb u dënua me 6700 euro, pasi në Gazimestan bëri thirrje urrejtëse “ Kosovën do ta lajmë me gjak” e “Kosova është Serbi”. Këtë gjobë ia llogariti pasi e quajti të shlyer një pjesë të dënimit, shkaku se ai kaloi 24 ditë në paraburgim.
Nga 14 aktgjykimet që i ka analizuar KOHA rezulton se vetëm dy dënime janë me burgim efektiv. Me njërin një serbi iu shqiptuan 8 muaj burgim për thirrjet në Vidovdan, e me tjetrin u dënua me 5 muaj burgim shtetasi serb për thirrjet antishqiptare që i shpërndau në TikTok. Shtetasve të huaj, Gjykata në Prishtinë ua ka shqiptuar si masë plotësuese edhe dëbimin, si dhe ndalimin e hyrjes në Kosovë prej 1 deri në 5 vjet.
Më butë e ka dënuar Gjykata Themelore në Gjilan vitin e kaluar një serb nga Kllokoti, i cili edhe e ka pranuar që e ka vendosur në kishën e fshatit një flamur serb me hartë të Kosovës e ku shkruhej “s’ka dorëzim”.
E, këshilltari i ministrit të Shëndetësisë, Egzon Azemi, në shkallë të parë u dënua me gjashtë muaj burgim pasi vepra penale “nxitja e urrejtjes dhe mosdurimit” iu ricilësua si “kanosje”, ndërsa Edi Zenelaj u shpall fajtor për “nxitje të përçarjes dhe mosdurimit”, pasi vepra penale ndaj tij është ricilësuar nga “kanosja”.
Azemi pati shpërndarë citatin “tradhtarët plumbin e kanë hak”, kur ndaj Dejan Pantiqit, tani i akuzuar për sulm terrorist, iu ndryshua masa e sigurisë nga paraburgimi në arrest shtëpiak. Ndërsa, Zenelaj u akuzua se ka bërë grafitë me emrat e gjyqtarit Mentor Bajraktari dhe prokurorit Afrim Shefkiu, e në të cilat u cilësuan si “shtyllë e turpit”. Rasti ndaj të dyve është ankimuar në Gjykatën e Apelit.
Ndërkaq, veterani i UÇK-së, Emin Lati, u dënua me 600 euro gjobë, pasi, duke aluduar në Mimoza Kusari-Lilën, në një intervistë tha se politikania do të duhej të tërhiqej zvarrë. Ai u dënua për kanosje, meqë prokuroria u tërhoq nga akuza për nxitje të përçarjes.
Reagime të shumta më 2023 nxiti aktgjykimi i Supremes për ish-deputetin dhe ish-ministrin nga radhët e Listës Serbe, Ivan Todosijeviqin. Ai pati mohuar masakrën e Reçakut, por gjykata më e lartë e liroi për dy arsye. Sipas Supremes, ai përdori lirinë e shprehjes kur e mohoi masakrën e Reçakut dhe tha se “terroristët shqiptarë” i kanë bërë shumicën e krimeve të luftës në Kosovë, dhe se nuk u argumentua mundësia e prishjes së rendit publik nëpërmjet këtyre qëndrimeve meqë Todosijeviqi mbajti fjalimin në një tubim në Zveçan.
Argument të ngjashëm ka përdorur Gjykata Themelore në Prishtinë më 2024 kur vendosi t’i lirojë nga akuza shtetasit e Shqipërisë, Niko Bllazhden, i njohur në publik si At Nikolla Xhufka dhe bashkëpunëtorin e tij, Lejdi Zagallin. Gjykata konstatoi se nuk u trazua rendi publik pasi Bllazhde hyri në Kishën Shën Arkangjel Mëhilli në Rakinicë të Podujevës dhe e shpalli mallkimin për Kishën Ortodokse Serbe, si dhe e quajti kishë dhunuese.
Dhuna si produkt i nxitjes së urrejtjes
Gjyqtari i pensionuar Musa Konxheli, ka kryesuar trupin gjykues që e ka dënuar për nxitje të përçarjes ish-anëtarin e ISIS-it, Zekirja Qazimi, si dhe ish-ministrin Ivan Todosijeviq për nxitje të urrejtjes. Në rastin e Qazimit ai thotë se mjaftoi të vërtetohej një fjali.
“Thënia e tij ishte, me të cilën është konsideruar se ka rënë ndesh me ligjin, ka qenë “gjaku i kufarëve (jo-besimtarëve) është pija më e mirë për ne myslimanët” dhe prokuroria ka aluduar dhe ka pretenduar, por edhe në gjykatë është vërtetuar dhe i pandehuri asokohe nuk e ka kontestuar se i ka thënë ato fjalë, por ka thënë se ka cituar thënie kuranore, se nuk ka shpikur gjë nga vetja dhe i njëjti është dënuar dhe është gjykuar dhe ka mbajtur edhe burgun”, ka deklaruar avokati Kongjeli.
Konxheli thotë se aktgjykimi i Supremes për Todosijeviqin, me të cilin u rrëzua dënimi i shqiptuar, është edhe sot i pakuptimtë për të si profesionist. Sipas tij, standardi që u kërkua nga Supremja për ta vërtetuar nxitjen e përçarjes është i lartë.
“Nuk është e paraparë që të plotësohet ky kusht që të shkaktohet dhuna sipas paragrafit e gjithashtu konsideroj se nuk është edhe kusht qenësor (për shembull v.j) zyrtari policor nëse nxit urrejtje ndaj etnisë apo raste të tjera që të duhet domosdo të vijë deri te protesta dhe te trazirat sepse ashtu do të ishte shumë e vështirë e gati në asnjë rast nuk do të plotësoheshin në tërësi të gjitha këto elemente... Nëse vendoset ky standard, konsideroj se është standard shumë i lartë që do ta kenë të vështirë jo vetëm prokuroria dhe gjykata, por ndoshta edhe pamundësi rrallë ndodh që të plotësohen këto kushte sidomos mundësia e prishjes së rendit apo trazirat dhe protestat për të ngritur aktakuzë dhe më pas për t’u shpallur fajtorë”, ka vlerësuar ai.
Adelina Hasani është hulumtuese e sigurisë dhe politikës së jashtme, dhe vlerëson se institucionet kanë treguar qasje të ngurtë në raport me nxitjen e urrejtjes, pasi konsideron se ato nuk reagojnë seriozisht pa u shkaktuar pasoja të dukshme.
Sipas saj, nëse rastet nuk merren seriozisht, atëherë rritet mundësia që nxitja e urrejtjes ta realizojë potencialin e vërtetë të saj duke u shndërruar në dhunë.
“Fatkeqësisht ne po e vërejmë që një gjuhë e urrejtjes po rritet sidomos te të rinjtë edhe në shkolla edhe në diskutimet që i kemi pasur edhe me mësimdhënësit e edhe me psikologët është duke u normalizuar një gjuhë e urrejtjes dhe sidomos është duke u normalizuar kjo gjuha e urrejtjes që është e ndërlidhur me narrativat anti-gjinore. Për shembull targetohen vajzat dhe targetohen komuniteti LGBTI dhe kjo është një lloj narrative e krijimit të maskulinitetit dhe këtu e shohim që po përdoren në platforma të ndryshme dhe po bullizohen sidomos vajzat dhe personat e komuniteteve që janë pakicë dhe këtë lehtësisht po shndërrohen në akte të dhunshme. Nëse i shohim edhe nëpër shkolla janë rritur këto aktet e dhunshme që janë të lidhura me narrativin dhe me normalizimin e gjuhës së urrejtjes”, ka thënë Hasani.
Një raport, që për autore e ka Hasanin tregon për narrativat e ekstremit të djathtë që shfaqen edhe në Kosovë. Cak i gjuhës së urrejtjes, sipas saj, janë në radhë të parë gratë, komunitetet pakicë e edhe komuniteti LGBTIQ+.
“Targeti kryesor janë grupet minoritare. Kur po themi grupet minoritare janë pakicat etnike, kemi parë edhe që komuniteti LGBTI më së shumti targetohet dhe gjithashtu targetohen edhe gratë dhe kur po them gratë nuk po them si minoritet, por si një grup më i margjinalizuar. Këto janë targeti kryesor që bëhet përmes gjuhës ekstermiste duke iu referuar gjuhës antigjinore, etno-nacionaliste dhe të aspektit fetar. Me njëfarë forme ajo që jemi munduar të shohim por edhe e kemi identifikuar është që targetohen këto grupet të cilat nuk kanë shumë pushtet dhe nëpërmjet krijimit të një frike, mundohen ta krijojnë një diskurs të ri”, ka deklaruar Adelina Hasani hulumtuese e sigurisë dhe politikës së jashtme.
Ka 17 vjet prej që Kosova është shtet dhe 26 që nga çlirimi. Serbia e konteston pavarësinë, dhe ky kontekst politik shërben që gjuha nxitëse të sponsorizohet nga jashtë.
Hasani thotë se shpesh Serbia, e edhe Rusia, synojnë ta minojnë bashkëjetesën që e kanë grupet etnike dhe fetare në Kosovë.
“Edhe pse ka pasur dezinformata për pjesën e veriut nuk është që ka shtyrë në akte të dhunshme që shqiptarët kanë shkuar e i kanë sulmuar serbët në veri dhe mendoj se kjo tregon një nivel të vetëdijes qytetare edhe pse qëllimi kryesor i Serbisë dhe Rusisë ka qenë kjo me një formë të ta krijojë frikën dhe t’i shtyjë në akte të dhunshme, por nuk ka ndodhur dhe mendoj se duhet të punohet në këtë drejtim për ta rritur vetëdijen qytetare se ku është qëllimi shteteve jo mike të Kosovës”, ka vlerësuar ajo.
Pasojat nga polarizimi politik
Në vitin 2023 Kosova u godit nga sulmi terrorist në Banjskë që e ekzekutuan dhjetëra serbë, e gjatë të cilit u vra polici Afrim Bunjaku. Ndërsa më 2024, po në veri, në fshatin Varagë u sulmua me eksploziv kanali i Ibër Lepencit – infrastrukturë vitale për qytetarët dhe shtetin.
Hasani thotë se ndër qëllimet e Serbisë dhe Rusisë është thellimi i ndasive në shoqëri.
“Narrativat ento-nacionaliste i kemi parë kryesisht në veri të vendit kur ka ndodhur sulmi një Basnjskë ose e kemi parë që ka një ndikim shumë të madh dezinformues që vjen edhe nga Serbia, por edhe nga Rusia që mundohet ta krijojë një lloj frike dhe mundohet të bëjë ndarje ndër-etnike. Për shembull në shumë mediume që e kemi parë këtë gjuhën e urrejtjes dhe gjuhën ekstremiste është që targetohen shqiptarët, targetohet Qeveria e Kosovës, tentohet të krijohet frikë që është duke luftuar kundër komunitetit serb në Kosovë”.
Pasiguria që prodhohet jo vetëm në këto rrethana, por edhe nga polarizimi politik lë pasoja te shoqëria, thotë edhe profesori i gazetarisë, Alban Zeneli. Sipas tij, politikanët shpesh kanë pasur ndikim negativ te krijimi i tokës pjellore për përçarjen e shoqërisë.
“Mendoj që polarizimi shoqëror është një nga format për të fituar më shumë përkrahës politikë dhe rrjedhimisht të fitosh më shumë vota, por në pikëpamje të shoqërisë kjo gjë është e dëmshme për faktin se nuk arrihen konsensuset shoqërore për temat të cilat janë të domosdoshme për shoqërinë. Për shembull ne për shumë pak gjëra në shoqërinë e Kosovës ka konsensus. Për shumë pak gjëra e për shumë pak individë. Bile edhe për heronjtë e Kosovës ka diskutime e kjo e bën shoqërinë edhe jo kohezive, e bën që të jetë në vazhdimësi në konflikt të grupeve shoqërore të cilat e minojnë mundësinë e progresit dhe përparimit të shoqërisë”, ka thënë Zeneli.
Në vend të kësaj, si Zeneli, ashtu edhe Hasani, rekomandojnë që të investohet në arsimim që e nxit mendimin kritik mbi diversitetin dhe njohjen mbi mediat.
“Nëse e shohim statistikisht, përhapja e internetit në Kosovë është më e lartë se në Gjermani, përdorimi i mediave sociale është më i lartë sesa mesatarja evropiane shumëfish dhe kjo bën që ta kemi një audiencë e cila është pa shkathtësitë e duhura për përdorim të mediave sociale, por me ekspozim të gjatë në media sociale dhe normalisht që ky është njëri prej faktorëve që ndikon në përhapje të gjuhës së urrejtjes”, ka nënvizuar Zeneli.
Mungesa e aspektit social por edhe adresimi i të kaluarës që nuk është bërë ende, sipas Hasanit po i shtynë të rinjtë në drejtim të ekstremit.
“Normalisht duhet të ketë një qasje më kongnitive që të gjithë akterët e shohin cili është roli i tyre kyç në këtë problem, mirëpo ndërtimi i kurrikulave shkollore dhe kur të flasim për diversitetin përnjëmend ta kuptojmë dhe ta përbrendësojmë diversitetin. Sepse nuk është diversitet që ka komunitete në Kosovë, por edhe mënyra se si bashkëjetojmë dhe ndërveprojmë”, ka theksuar Hasani.
Pavarësisht vendimeve të organeve të drejtësisë për të ndëshkuar nxitësit e urrejtjes e përçarjes në Kosovë, rastet e trajtuara tregojnë për një qasje të pabarabartë dhe shpeshherë të butë, sidomos kur bëhet fjalë për gjuhë urrejtjeje në hapësirat online apo për shprehje që mbështeten me justifikimin e “lirisë së shprehjes”. Gjykatat kanë vendosur standarde të larta për ta dëshmuar nxitjen e urrejtjes, duke e bërë shpesh të pamundur ndëshkimin efektiv, ndërkohë që ekspertët paralajmërojnë se mosreagimi serioz ndaj rasteve të tilla vetëm sa i shton gjasat që urrejtja të shndërrohet në dhunë reale.