Arbëri

Prokuroria: Hajdari ishte në dijeni se çmimi i grurit ishte 200 € për ton më lirë sesa e importoi

Ministrja Rozeta Hajdari ishte në dijeni për çmimin mesatar të grurit, pasi për këtë ishte njoftuar nga Dogana, thuhet në aktakuzën e Prokurorisë Speciale për rastin e rezervës shtetërore. Megjithatë, sipas aktakuzës, gruri për nevojat e rezervës shtetërore u importua për gati 200 euro më shtrenjtë për ton

Prokuroria Speciale pretendon se ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari (MINT), ishte në dijeni se gruri që do ta importonin autoritetet e vendit për rezervën shtetërore ishte rreth 200 euro për ton më i shtrenjtë. 

Aktakuza e ngarkon ministren në detyrë, pastaj zëvendëssekretarin Irfan Lipovica dhe drejtorin e Departamentit të Rezervës Shtetërore, Haviz Gara, për korrupsion, derisa biznesmenin Ridvan Muharremi për ndihmë në kryerje të keqpërdorimit të detyrës zyrtare. 

Sipas Prokurorisë, ministrja Hajdari ishte njoftuar për çmimin mesatar nga Agon Llugaliu, drejtor i Doganës së Kosovës, porse ka vendosur ta importojë grurin nga një kompani turke për rreth 200 euro më shtrenjtë për ton.

“Nga emaili, i datës 10.03.2022, vërtetohet fakti se Agron Llugaliu, drejtor i përgjithshëm i Doganës së Kosovës, e ka njoftuar të pandehurën Rozeta Hajdari lidhur me të dhënat e importit të produkteve esenciale ku, përveç tjerash, e njëjta informohet edhe për çmimin mesatar të grurit që importohet në Kosovë, ku, sipas të dhënave zyrtare të bashkangjitura në këtë email, rezulton se në janar të vitit 2022 çmimi mesatar i grurit ishte 295 euro për një ton, në muajin shkurt 277 euro për një ton, ndërsa në 10-ditshin e muajit mars ishte 290 euro për një ton... dhe me gjithë faktin, e njëjta më 14.03.2022 nënshkruan kontratën me operatorin ekonomik ‘Yafe Turizm Insaat Sanayi ve Ticaret Anonim Sirketi’, me çmim 483,48 euro për një ton grurë, çmim ky tejet i lartë në krahasim me çmimin mesatar që importohej në Kosovë”, thuhet në aktakuzë. 

Hajdari nuk u është përgjigjur pyetjeve të prokurorisë kur është ftuar për t’u intervistuar, duke thënë se elaborimi mbi rezervën shtetërore shpalos informacione të klasifikuara si sekrete. 
Prokuroria ka vlerësuar se ky arsyetim nuk qëndron, meqë është e ndaluar të klasifikohen dokumentet që dëshmojnë shkelje ligjore.

E i akuzuari Hafiz Gara u ka thënë prokurorëve se ministrja e ka udhëzuar atë që gruri të mos blihet nga kompani që e importojnë atë nga Serbia. 

“Në lidhje me këtë i pandehuri deklaron se pas pranimit të emailit e kishin zhvilluar një takim pune në ministri me përfaqësuesin e ‘M&Sillosit’ për të diskutuar rreth çështjes së furnizimit me grurë. Me këtë rast kishin diskutuar për vështirësitë e furnizimit në ato momente, mirëpo përfaqësuesi i ‘M&Sillosit’ e kishte bërë të qartë se kishin kapacitet për furnizim me grurë. Lidhur me këtë, në pyetjen se pse nuk është kontraktuar ‘M&Sillosi’ për furnizim me grurë, kur i njëjti ka treguar se ka mundësi për një furnizim të tillë, aq më tepër kur vetë i pandehuri ishte kryetar i Komisionit për negocim, ka deklaruar se ky nuk e ka përzgjedhur këtë kompani për faktin se ministrja Rozeta Hajdari ka apeluar se ‘M&Sillosi’ furnizohet me grurë nga Serbia dhe nuk është partner i përshtatshëm për këtë furnizim”, thuhet në aktakuzë. 

I akuzuari tjetër, Irfan Lipovica, para prokurorisë ka thënë se ka kërkuar informata nga Departamenti i Tregtisë në ministri, porse nuk i është treguar se sa po shkon çmimi i grurit me shumicë. Lipovica po ashtu i ka thënë prokurorisë se gjatë kohës së furnizimit të rezervës shtetërore është ndier nën presion nga ministrja.

“Në pyetjen e avokatit mbrojtës të tij, se a kishte qenë i kanosur dhe i shantazhuar ndonjëherë me vendin e punës gjatë kësaj periudhe kohore nga ministrja Rozeta Hajdari dhe sekretari Irfan Lipovica, konkretisht për suspendim dhe largim nga puna, i pandehuri ka pohuar se përgjatë takimeve me ministren, e njëjta e kishte ofenduar me fjalët më banale, duke e quajtur idiot, i paaftë dhe i papërgjegjshëm, duke aluduar në realizimin e kontratave që janë në proces të hetimit”, thuhet në aktakuzë. 

E ndërmarrësi Ridvan Muharremi u ka thënë prokurorëve se roli i tij ishte negocimi në emër të kompanisë turke. 

“I pandehuri në vazhdim të deklarimit të tij ka mohuar të kishte negociuar personalisht në emër të kompanisë turke ‘Yafe Turizm Insaat Sanayi Ve Ticaret Anonim Sirketi’ me MINT, lidhur me kushtet e kontratës për blerjen e grurit. Në vazhdim i njëjti ka pohuar se e kishte pasur në posedim kontratën e draftuar nga MINT për blerjen e grurit, të cilën ia kishte dërguar Hafizi. Në lidhje me këtë ka deklaruar se çmimi i përcaktuar në kontratë për blerje të grurit ishte 470 për një ton”, thuhet në aktakuzë. 

Qëllimi i të akuzuarve, sipas Prokurorisë, ishte t’u bënin favor kompanive nga të cilat u importuan rezervat e një nga të cilat, sipas PSRK-së - kompania turke - pati lidhje shoqërore e biznesore me afaristin Muharremi. 

Prokuroria Speciale pretendon se me veprimet e tyre të pandehurit i kanë shkaktuar dëm shtetit në vlerë prej 2.9 milionë eurosh me importimin e grurit, prej të cilit erdhën rreth 59 tonë më pak. Po ashtu pretendohet se është paguar edhe kostoja e transportit, gjë që nuk është dashur të bëhej në bazë të kontratës.

Prokuroria pretendon se dëm shtetit i është bërë edhe me porosinë e vajit dhe sheqerit, mallra që nuk i ka sjellë kompania “Xanto SP. ZO. O” me seli në Poloni.

Për akuzën, të martën ka reaguar edhe vetë ministrja në detyrë Rozeta Hajdari.

“Sapo u njoftova nga avokati im, për dorëzimin e aktakuzës nga Prokuroria Speciale në Gjykatën Themelore në Prishtinë, lidhur me çështjen e kontraktimit të rezervave shtetërore, proces ky tepër i rëndësishëm për të gjithë ne. Sapo ta kem pranuar të plotë dokumentin e aktakuzës do të deklarohem më gjerësisht për media. Unë ndihem krenare për punën që kam bërë si ministre e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, në kohën më të vështirë – sigurimin e rezervës shtetërore të mallrave, me produktet esenciale për jetesë, në kohën kur ishim të pambrojtur, gjatë muajve shkurt dhe mars 2022”, ka shkruar ajo në një postim në llogarinë e saj në Facebook.