Një nga premtimet kryesore në fushatë e Lëvizjes Vetëvendosje është futur në programin legjislativ të vitit 2023, ka njoftuar Zyra e Kryeministrit të enjten në mbrëmje pas mbledhjes së Qeverisë që u mbajt në formë elektronike.
Në këtë mbledhje është miratuar vetëm vendimi për ndryshimin e programit legjislativ për sivjet.
Fondi Sovran ka qenë një nga premtimet kryesore të kryeministrit Albin Kurti.
Ky Fond pritet të administrojë ndërmarrje e asete të Republikës me potencial zhvillimor, për të rritur vlerën e tyre, me synim zhvillimin e vendit dhe mirëqenien e qytetarëve.
“Fondi Sovran do t’i marrë nën pronësi asetet strategjike të Republikës së Kosovës dhe do ta ketë përgjegjësinë ekskluzive për investimet në rritjen e vlerës së Trepçës, KEK-ut, Telekomit dhe Postës. Agjencia Kosovare e Privatizimit do të shuhet dhe asetet e saj i kalojnë Fondit Sovran i cili është fond investues dhe instrument i zhvillimit industrial. Agjencia zhvillimore drejtpërsëdrejti do të mbështesë sektorin privat dhe publik të Kosovës në arritjen e synimeve strategjike zhvillimore përmes rritjes së kapaciteteve të biznesit vendor, promovimit të investimeve të jashtme dhe të eksportit. Agjencia do t’i koordinojë po ashtu politikat zhvillimore ndërmjet ministrive dhe do të udhëheq me agjensionet e pavarura zhvillimore. Ndërsa Banka Zhvillimore do të jetë komponenti kreditues i cili do të financohet nga paratë publike dhe shitja e letrave të borxhit, dhe që do të investojë në degë të caktuara të industrisë që krijojnë vende pune e përmirësojnë bilancin tregtar duke u përqendruar në rritjen e eksporteve e zëvendësimin e importeve”, thuhej në faqen zyrtare të Lëvizjes Vetëvendosje, kur ishte listuar ky premtim.