Kuvendi i Kosovës ka miratuar të premten në mbrëmje në lexim të dytë Projektligjin për Fondin Sovran.
62 deputetë të pushtetit, aq sa ishin të pranishëm në sallë, votuan pro këtij projektligji, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.
Si pjesë e Projektligjit për Fondin Sovran në lexim të dytë u përfshin 47 amendamente.
Qeveria e Kosovës ka thënë se Fondi Sovran do të jetë një mekanizëm i ri dhe efektiv për orientimin e investimeve, përmirësimin e qeverisjes korporative, ngritjen e konkurrueshmërisë dhe cilësisë, rritjen e shkathtësive dhe të punësimit, si dhe eliminimit të keqpërdorimit dhe korrupsionit në sektorin e ndërmarrjeve publike.
Fondi Sovran do t’i marrë nën pronësi asetet strategjike të Kosovës. Fondi do ta ketë përgjegjësinë ekskluzive për investimet në rritjen e vlerës së Trepçës, KEK-ut, Korporatës së Thëngjillit, PTK-së.
Kryeministri Albin Kurti pasi Kuvendi i tha po formimit të Fondit Sovran, në një shkrim në Facebook ka thënë se Kosova po vendoset në hartën financiare të rajonit dhe Evropës.
“Me këtë vendim e vendosëm Kosovën në hartën financiare të rajonit dhe të Evropës dhe vumë bazën për krijimin e një trashëgimie për gjeneratat e ardhshme. Fondi Sovran do të punojë që t’i forcojë ndërmarrjet publike të vendit dhe ato t’i shndërrojë në korporata të fuqishme të vendit dhe më tej. Fondi Sovran do të sjellë një cikël të ri investimesh në vend duke e lidhur Kosovën me tregjet botërore financiare dhe duke e ngritur dhe shtuar qarkullimin e kapitalit investiv për gjithë ekonominë e vendit”, ka shkruar ai në Facebook.
Edhe
Qeveria procedon në Kuvend Projektligjin për ndryshimin e buxhetit
Kurti po ashtu ka thënë se Qeverinë e presin shumë punë në kuadër të këtij fondi.
“Ligji është vetëm hapi i parë, meqë Qeverinë e presin punë të shumta në ndërtimin e strukturës organizative të Fondit Sovran dhe në thellimin e reformave në sektorin publik për përgatitjen e ndërmarrjeve që do të inkorporohen si asete të Fondit Sovran. Për këtë ne do të vazhdojmë të punojmë me ekspertët e vendit dhe ata ndërkombëtarë dhe të mësojmë nga përvojat më të mira ndërkombëtare të fondeve sovrane në Evropë dhe në botë, por edhe në nismën për krijimin e kornizës ligjore për tregun e kapitalit në Kosovë”, ka shtuar ai.
Deputetët ndërkaq kanë miratuar në shqyrtim të dytë edhe Projektligjin për Artin dhe Kulturën, ndërsa ata po diskutojnë Projektligjin për Mbrojtje nga zjarri në shqyrtim të parë. /KP