Fuqizimi i të rinjve për zhvillimin e bizneseve të qëndrueshme start-up është synimi i një bashkëpunimi të nisur ndërmjet qendrës së inovacionit “Maker Space” dhe Komunës së Prizrenit.
Palët kanë nënshkruar një marrëveshje që e parasheh trajnimin e të rinjve për ndërmarrësi me anë të së cilës ata më pas mund të garojnë me ide për të përfituar subvencionim nga organet komunale.
Enis Qafleshi, drejtuesi i qendrës inovative “Maker Space”, ka theksuar se në këtë hapësirë të rinjve u ofrohet mundësia për të përfituar njohuri mbi zhvillimin e mëtutjeshëm, si pjesë e përpjekjeve për të shtuar grupet që ofrojnë shërbime në fushën e IT-së e më pas edhe për t’i eksportuar ato jashtë vendit.
Ai ka thënë se kjo qendër zotohet se do ta çojë në vend interesin publik në projektin e përbashkët me Komunën e Prizrenit.
“Programi i fuqizimit të të rinjve për të zhvilluar biznese të qëndrueshme start-up do të jetë një brend më vete. Do të jetë brend i Prizrenit dhe ne synojmë që këtë ta realizojmë në formën më të mirë. Do të trajnohen shumë të rinj dhe të reja në fushën e ndërmarrësisë dhe më pas të njëjtit do ta kenë mundësinë e subvencionimit apo përfitimit të një granti komunal, të cilin do ta ndihmojmë, do ta realizojmë ne”, ka thënë Qafleshi.
Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, ka vlerësuar se në këtë qendër po aftësohen të rinjtë për punët që janë në hap me kohën dhe që e mundësojnë ofrimin e shërbimeve nga distanca edhe për kompanitë e jashtme.
Ai ka theksuar se qeveria komunale e përkrah këtë koncept të avancuar me bindjen se do të gjenerojë rrëfime suksesi.
“Qëllimi është që të rinjtë të trajnohen, të jenë të përgatitur për t’i përcjellë mundësitë e financimit nga institucionet ndërkombëtare, si dhe të jenë të përgatitur për themelimin e bizneseve të reja start-up. Gjitha këto do t’i kryejë Qendra inovative ‘Maker Space’. Komuna do të jetë një fasilitator apo një shpejtues i këtij programi”, ka pohuar Totaj.
“Maker Space” është e vendosur në Parkun e Inovacionit dhe Trajnimeve në Prizren, që e ofron një mjedis për nxitjen e bashkëpunimeve ndërmjet aktiviteteve të inovacionit, hisedarëve të kërkimit dhe zhvillimit, institucioneve të trajnimit dhe edukimit, si dhe start-up-eve dhe hapësirave krijuese.