Tech

Festivali i Shkathtësive Digjitale, festivali më i ri në Prizren

Larmisë së festivaleve kulturore si dhe atyre argëtuese që mbahen në Prizren, prej kësaj fundjave i bashkohet edhe një ngjarje, e cila do të organizohet në Parkun e Inovacionit dhe Trajnimeve (ITP Prizren) dhe në thelb ka aftësimin e personave të pasionuar ndaj Teknologjisë Informative.

Ky Park, përmes Qendrës për Transformim Digjital, të shtunën i hapë dyert për Festivalin e Shkathtësive Digjitale, duke mirëpritur studentët dhe profesorët, kompanitë e teknologjisë, sipërmarrësit dhe publikun në përgjithësi për aktivitete të tilla, si: trajnime, punëtori mbi printimin 3D dhe sigurinë kibernetike, takime, ekspozitën e teknologjisë dhe inovacionit, sesionet argëtuese dhe më shumë.

“Festivali i Shkathtësive Digjitale synon të ofrojë një përvojë unike për të gjithë të pasionuarit lidhur me trendet e fundit në TIK, në teknologjitë e reja, në inovacion dhe në shkathtësitë e së ardhmes. Festivali do të ofrojë mundësinë për profesorët dhe studentët e shkencave kompjuterike nga universitetet publike dhe private në kuadër të “Crosscience Initiative” si dhe audiencën e gjerë që të njihet me ofertën e TIK-ut në ITP Prizren”, ka bërë të ditur Visar Haxhifazliu nga Qendra për Transformim Digjital në ITP Prizren.

Sipas tij në këtë festival do të paraqiten folësit nga lëmia e teknologjisë, inovacionit dhe akademia, të cilët mes tjerash ofrojnë mundësinë për prezantime, rrjetëzim dhe avancim të transformimit digjital.

“Për të lehtësuar avancimin e zhvillimit të qëndrueshëm, festivali do të promovojë mundësi të ndryshme, programe trajnimi të bazuara në kërkesat e tregut, hulumtime dhe prezantime të ideve fillestare. Në ofrimin e këtyre shërbimeve, përqendrimi kryesor mbetet në fushat e zhvillimit të shkathtësive në TIK, atyre digjitale si dhe krijuese”, ka thënë Haxhifazliu.

Ai ka shtuar se në Festivalin njëditor të Shkathtësive Digjitale do të ketë aktivitete të shumta frymëzuese nga iniciativat e inovacionit, trendët e TIK-ut, teknologjitë e reja dhe mësimi i shkathtësive të reja digjitale. “Mbi 400 pjesëmarrës do të marrin pjesë në konferencë, prezantime, hackathonin mbi sigurinë kibernetike, punëtoritë për printim 3D, takime të inovacionit, si dhe në aktivitete sportive dhe të rekreacionit”, është shprehur Haxhifazliu.

Si pjesë e rrugëtimit digjital të ITP-së, synohet që ky festival në të ardhmen të organizohet në baza vjetore.

Qendra e Transformimit Digjital të ITP-së ka për qëllim që të mbështesë zhvillimin ekonomik në Kosovë. Kurset që organizohen aty, ofrojnë një mundësi për të rinjtë e rajonit që të nisin ose të fuqizojnë karrierën e tyre në sektorin e TIK-ut.

Image