Drejtues të Komunës së Prizrenit dhe të Caritasit zviceran në Kosovë të hënën kanë nënshkruar marrëveshjen e bashkëpunimit në kuadër të projektit “Ndikimi i Rinisë në Mjedis”, që synon të fuqizojë rolin e nxënësve të shkollave të mesme si agjentë të ndryshimeve klimatike në nivelin lokal.
Sipas kryetarit të Komunës, Shaqir Totaj qëllimi i përgjithshëm i këtij projekti është përmirësimi i veprimit klimatik dhe mbrojtja e mjedisit në Komunën e Prizrenit përmes angazhimit aktiv të të rinjve, respektivisht krijimit të eko-klubeve në shkollat e mesme të larta.
“Është një projekt në hap me kohën, i cili synon të ngrejë nivelin e vetëdijesimit lidhur me domosdoshmërinë e mbrojtjes së ambientit, natyrës, ekologjisë”, ka thënë Totaj, duke shtuar se projekti do të zbatohet nga Caritasi zviceran derisa Komuna do të jetë bashkëpjesëmarrës.
ka sqaruar se Prizreni ka aplikuar me 5 shkolla për të përfituar nga ky projekt, që është në harmoni me agjendën e gjelbër evropiane.
Ndërsa Kreshnik Basha nga Caritasi zviceran ka pohuar se projekti është mundësuar në bashkëpunim me Ministrinë e Zhvillimit Rajonal dhe se ka për qëllim fuqizimin e aktivizmit rinor në shkollat e mesme të larta.
“Në bazë të marrëveshjes, shkollat e mesme do të përfitojnë projekte të vogla për ambient, por ka edhe aktivitete tjera si shkëmbimi i përvojave të mira me shkollat tjera, jo vetëm nga Kosova por edhe rajoni. Njëkohësisht ka edhe pjesëmarrje në gara në nivel nacional”, ka deklaruar Basha, duke shtuar se parashihen edhe aktivitete avokimi të rinjve për miratimin e planeve lokale për mbrojtjen e mjedisit.
ka shtuar se vlera totale e projektit është 1.1 milionë euro dhe se projekti do të realizohet në dhjetë komuna me 60 shkolla të mesme, ku objektivat janë përmirësimet në aspektin e klimës dhe të mjedisit, përmes formimit të klubeve ekologjike gjithëpërfshirëse, por edhe përdorimit të këshillave ekzistuese të shkollave për mbrojtjen e mjedisit dhe ndryshimet klimatike.
Disa nga rezultatet që pritet të arrihen nga ky projekt, sipas njoftimit të Komunës janë themelimi dhe fuqizimi i Klubeve ekologjike në shkollat e mesme në Komunën e Prizrenit, ofrimi i moduleve trajnuese për këshillat e nxënësve dhe eko-klubet, me qëllim të zhvillimit të kapaciteteve të tyre, hartimi dhe përgatitja e materialeve mësimore për ndryshime klimatike dhe mbrojtje të mjedisit, etj.