Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, ka kërkuar përkrahje nga ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, për realizimin e projektit të Parkut të Biznesit. Duke potencuar rëndësinë e këtij parku për zhvillimin ekonomik lokal, Haskuka para zyrtarit të lartë qeveritar ka theksuar se i njëjti ka mbetur peng i procedurave administrative.
“Për komunën tonë është jetike funksionalizimi i projektit për krijimin e Parkut të Biznesit, i cili ende nuk është finalizuar si shkak i procedurave administrative”, ka thënë Haskuka, gjatë takimit të zhvilluar në MZHE, ka njoftuar kjo ministri, shkruan sot Koha Ditore.
Përmes rrjeteve sociale, Haskuka ka pohuar se Parku i Biznesit, si dhe ngrohtorja e qytetit, riciklimi i mbeturinave, përmirësimi i furnizimit me ujë dhe trajtimi i ujërave të zeza kanë qenë “disa nga çështjet për të cilat diskutuam, derisa ministri u tregua i gatshëm për mbështetje në realizimin e projekteve për këto çështje”.
(Më shumë lexoni sot në Koha Ditore)