Arbëri

Prizreni dhe MAPL-ja diskutojnë bashkëfinancimin e disa projekteve kapitale

Drejtues të Komunës së Prizrenit dhe Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal të premten kanë diskutuar për bashkëfinancimin e disa projekteve kapitale, sikurse edhe adresimin e problemeve që Komuna ka me agjencitë e ndryshme shtetërore.

Kryetari i Komunës, Mytaher Haskuka, ka theksuar se njëri ndër projektet kryesore mes dy institucioneve është ai i Parkut të Biznesit, ndërkohë që ka paralajmëruar edhe ndërtimin e një çerdheje të re publike.

“Pos kësaj diskutuam edhe për bashkëpunimin e qeverisë qendrore me qeveritë lokale, me agjencitë e ndryshme ku ka probleme. Qeveria aktuale është duke analizuar problemet që janë në këtë aspekt dhe shpresojmë se problemet në implementimin e projekteve, në menaxhimin e agjencive të ndryshme të cilët e bllokojnë punën e Komunës do të adresohen”, ka thënë Haskuka.

Në anën tjetër ministrja e MAPL-së, Emilija Rexhepi, krahas projekteve të përmendura nga Haskuka ka veçuar planet për ndërtimin e shtëpisë së pleqve në Prizren, pastaj për trajtimin e ujërave të zeza, e pastrimin e Lumëbardhit.

“Krahas kësaj do të përcjellim zbatimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve zyrtare në Komunën e Prizrenit, legjislacionit për pronën publike, se a ka shkuar në interes të qytetarëve apo individëve që përfitojnë me biznese, do të përcjellim ligjet për menaxhimin e ujërave të zeza, investimeve kapitale , monitorimin e buxheteve komunale”, ka deklaruar Rexhepi, duke shprehur zotimin edhe për ndryshimin e akteve nënligjore të vetëqeverisjes lokale, sikurse edhe jetësimin e projekteve për rritjen e mirëqenies së qytetarëve.