Në shënimin e 24-vjetorit të çlirimit të Komunës së Prishtinës u vendosën kurora lulesh në varrezat e dëshmorëve e u mbajtën një sërë aktivitetesh. Kryeministri Kurti me këtë rast ka thënë se s’duhet harruar sa i lartë ka qenë çmimi i paguar nga populli që të kemi republikë demokratike. E kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, teksa kujtoi të rënët për liri, tha se falë tyre populli e shijon lirinë.
Me homazhe e me aktivitete të ndryshme u shënua 24-vjetori i çlirimit të Komunës së Prishtinës.
Kryeministri Kurti gjatë homazheve në varrezat e dëshmorëve tha se muaji qershor shënon kurorëzimin e përpjekjeve dhe sakrificave të të gjithë brezave shqiptarë për çlirimin e Kosovës.
“Ky qershor shënon kurorëzimin e përpjekjeve dhe sakrificava të panumërta të të gjithë brezave të shqiptarëve për çlirimin e Kosovës dhe lirinë e popullit, andaj edhe ne përkulemi dhe bëjmë nderime. Nuk e harrojmë asnjëherë prej nga vijmë dhe sa i lartë ka qenë çmimi që ka paguar populli ynë që ne sot të mund të kemi Republikë demokratike me institucione shtetërore dhe me progres edhe ekonomik dhe demokratik”, ka thënë Kurti.
Pas homazheve, kreu i kryeqytetit, Përparim Rama, 11 qershorin e vlerësoi si ditë të rëndësishme për të gjithë vendin e veçmas për kryeqytetin.
“Sot është një ditë e madhe, ditë historike për kryeqytetin, për gjithë vendin faktikisht, mirëpo për kryeqytetin veçanërisht, për arsye se me 11 qershor 24 vite më parë është çliruar kryeqyteti dhe sot jemi të lirë të jetojmë e të veprojmë ashtu si duam, duke falënderuar dëshmorëve e heronjve tanë”, ka thënë Rama.
Në nder të ditës së çlirimit të kryeqytetit u mbajt parada e FSK-së së bashku me fëmijë.
E për të shënuar këtë ditë me këngë e valle fëmijët nuk i ndali as shiu.
Gjatë këtij aktiviteti ata treguan se çka ju është mësuar në shkolla për 11 qershorin.
“Është dita e Kosovës kur u çliru Kosova”. “Na ka mësu që Serbia kur ka qenë aty ka ardhë Amerika edhe na ka ndihmu”, ka thënë nxënësja Ina Demolli.
“Sot është dita e Kosovës”, ka thënë Andi Morina, nxënës.
E aktivitet tjetër u mbajt edhe nga personat me aftësi të kufizuara.
Ekipi i Prishtinës, Llapit dhe Minatori bënë garën e boçës.
“Dita e çlirimit të Prishtinës nuk do të kishte kuptim pa edhe sportistët me aftësi të kufizuara. Pikërisht sot jemi duke e promovu sportin më të ri në Kosovë ‘boça’”, ka thënë kryetari i Klubit të Prishtinës, Irfan Sopjani.
“Nuk ka ndjenjë më të mirë dhe krenari më të mirë me festu ditëlindjen e çlirimit të Prishtinës dhe promovimin e klubit tonë dhe po ashtu licencimin nga Komuna e Prishtinës”, ka thënë Njomza Emini, presidente e Komitetit Paraolimpik të Kosovës.
Për shënimin e Ditës së Çlirimit është hapur ekspozita “Rezistenca 1990” nga artisti Hazir Reka.
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë se 10, 11 dhe 12 qershori Kosovën e ndërlidhin historikisht si asnjë datë tjetër.
Krasniqi tha se nderojnë të gjithë luftëtarët, veprimtarët, intelektualët dhe martirët ndër breza, të cilët u bënë urë e dritë për këtë ditë.
E zëdhënësja politike e LDK-së, Sibel Halimi, në 24-vjetorin e çlirimit të Prishtinës ka komentuar zhvillimet aktuale politike në vend.
Në një postim në Facebook ajo ka shkruar se kryeministri Albin Kurti duhet të reflektojë sepse, sipas saj, liria dhe siguria e vendit varen nga partneriti me Amerikën, BE-në dhe NATO-n.