Prishtina ka shënuar 26-vjetorin e çlirimit me një sërë aktivitetesh. Ato nisën me homazhe te varrezat e dëshmorëve e përfundojnë me “ndeshjen me yje”, e cila zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri”.
Arianita Hoti
Kryeqyteti ka shënuar 26-vjetorin e çlirimit me një sërë aktivitetesh të organizuara nga Komuna e Prishtinës.
Kryetari Përparim Rama bashkë me bashkëpunëtorët e tij, aktivitetin e nisën me
me homazhe në varrezat e dëshmorëve në “Velani” e vazhduan me nderime pranë shtatores së heroit Zahir Pajaziti.
Rama theksoi rëndësinë historike të kësaj dite, duke e cilësuar 11 qershorin si momentin e një fillimi të ri.
“Sot, më 11 qershor, ndalemi për të përkujtuar njërin nga momentet më të rëndësishme të historisë sonë, ditën kur Prishtina u çlirua dhe na u kthyen frymëmarrja dhe dinjiteti dhe kur u hapën dyert të ecim tutje si një popull i lirë. Kjo ditë shënoi fundin e okupimit dhe dita e parë e një fillimi krejt të ri. Ku fjalët liri e pavarësi nuk ishin të ndaluara. Në këtë ditë nuk mund të mos përmendim presidentin Ibrahim Rugova, i cili ishte simboli i rezistencës, si dhe Adem Jasharin”, ka thënë Rama.
Ai theksoi edhe rolin e pazëvendësueshëm të diasporës shqiptare në SHBA, duke thënë se lobimi i tyre ka qenë vendimtar në rrugën drejt lirisë.
“Krahas tyre qëndruan edhe shumë të tjerë që luftuan në forma të ndryshme – me armë, me fjalë e me diplomaci. Sot kemi nderin që një prej këtyre figurave të jetë mes nesh – i gjallë, me zemër plot përkushtim ndaj çështjes kombëtare. Zoti Ekrem Bardha është një nga personalitetet më të shquara të diasporës shqiptare. Ai u detyrua të largohej nga Shqipëria në vitet ’50, duke filluar jetën nga e para në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Me punë të palodhshme ai ndërtoi një jetë të suksesshme, duke themeluar biznese e duke u bërë një zë i fuqishëm në shërbim të shqiptarëve. Ishte edhe drejtues i gazetës ‘Iliria’ në Amerikë, përmes së cilës ngriti zërin për çështjen shqiptare në arenën ndërkombëtare”.
Në kuadër të aktiviteteve për Ditën e Çlirimit u mbajt edhe një seancë solemne e Kuvendit Komunal të Prishtinës, ku u miratua propozimi i kryetarit për emërtimin e parkut të ri të kryeqytetit në lagjen "Kalabria" në emër të Ekrem Bardhit.
“Ka qenë një ëndërr për të gjithë ne, por sidomos për mua, nuk kam menduar që do të jem këtu një ditë, që po gëzojmë pavarësinë. Vij nga diaspora e Amerikës, që duhet ta duam dhe ta respektojmë të gjithë bashkatdhetarët, të kenë respektin, sepse po të mos ishte Amerika nuk do të kishte Kosovë po as Shqipëri”, është shprehur Bardha.
Aktivitetet për Ditën e Çlirimit përmbyllen me “ndeshjen me yje”, e cila zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri”.