Arbëri

Prishtina në rrezik nga erërat e forta dhe punimet e dobëta

Drejtoria për Siguri dhe Emergjenca e ka rrethuar me shirita objektin e ri të Komunës së Prishtinës në lagjen “Arbëria”. Kjo u bë pas paralajmërimeve për erëra të forta. Drejtori i Drejtorisë për Siguri dhe Emergjencë në Komunën e Prishtinës, Lulëzim Fushtica, ka thënë se gjatë 24 orëve të fundit kanë intervenuar në 12 raste

Ekipet për siguri dhe emergjencë, por edhe zjarrfikësit kanë intervenuar të shtunën mbrëma në disa raste në lagjet e Prishtinës, si pasojë e erërave të forta.

Pas paralajmërimeve për rreziqe për shkak të erërave, është rrethuar me shirita objekti i ri i Komunës në lagjen “Arbëria”.

Në muajin janar, një pjesë e kulmit e kësaj ndërtese ra, me ç ‘rast goditi një kalimtare dhe e lëndoi rëndë atë.

“Drejtoria për Siguri dhe Emergjenca do të izolojë zonën rreth objektit të Kryeqytetit në lagjen ‘Arbëria’ në Prishtinë. Kjo do të bëhet për të parandaluar ndonjë fatkeqësi të mundshme për shkak se janë paralajmëruar për nesër erëra të forta nga 20 deri në 80 km/h të cilat do të sjellin edhe dëme materiale”, thuhet në njoftimin e Komunës.

Për rënien e kulmit, zyrtarët komunalë ua lanë fajin punëkryesve, respektivisht punimeve jocilësore.

Drejtori i Drejtorisë për Siguri dhe Emergjencë në Komunën e Prishtinës, Lulëzim Fushtica, ka thënë se të gjitha ekipet e Drejtorisë për Emergjenca dhe zjarrfikësit janë në gjendje gatishmërie për çdo rast që mund të ndodhë në qytet për shkak të erërave të forta.

“Deri më tani kemi 12 raste që kemi intervenuar nga nata e mbrëmshme, kur edhe kanë filluar erërat në kryeqytet dhe pjesë të tjera të Prishtinës. Kemi pasur dëme materiale por për fat të mirë nuk ka pasur dëme në njerëz”, ka thënë ai.

E inxhinieri i ndërtimtarisë Naser Kabashi, ka thënë se në rastet kur ka erëra të forta mund të bien tjegulla apo pjesë të tjera nga ndonjë objekt.

Por shton se problemi në objektin e Komunës ka të bëjë vetëm me një pjesë të kulmit.

“Momenti i tillë i rënies së asaj pjese të kulmit lidhet me, ta quajmë me një pjesë të lokalizuar të realizimit të atij kulmi”, ka deklaruar Kabashi.

Për rastin e rënies së kulmit të objektit të Komunës, Prokuroria Themelore në Prishtinë tashmë ka hapur hetime dhe se 2 persona janë arrestuar. Njëri zyrtar komunal e tjetri përgjegjës i kompanisë punëkryese.

Ekspertët e angazhuar nga Komuna kanë thënë se kulmi nuk ishte ndërtuar në bazë të standardeve.