Pak qytetarë kanë dalë të dielën për të shijuar natyrën në Prevallë.
Ky vend turistik, në orët e mesditës, ka qenë pikë ndalese kryesisht për grupe motoristësh që kanë qarkulluar si nga drejtimi i Ferizajt, ashtu edhe nga drejtimi i Prizrenit.
Banorët e këtij fshati turistik kanë bërë të ditur se zbatimi i masave kundër përhapjes së pandemisë, tok me respektimin e rregullave të muajit të Ramazanit, kanë bërë që pak vizitorë t’ia mësyjnë natyrës, raporton KOHA.
Banori dhe pronari i një biznesi në Prevallë, Faton Morina, ka pohuar se masat e izolimit, si dhe patrullimet e rregullta të Policisë, kanë pamundësuar grumbullimin e njerëzve.
“Policia nuk po i lejon, është non-stop në vëzhgim këtu”, ka thënë ai.
Sipas tij, kjo situatë ka sfiduar bizneset që operojnë në këtë pikë turistike.
“Si biznes është shumë e vështirë. Ne varemi prej këtij biznesi prandaj është shumë problem”, ka vazhduar Morina.
Edhe
Turistë të shumtë nga Shqipëria në Prevallë, në kohë pandemie
Morina ka theksuar se janë në pritje të kalimit në fazën e dytë të masave lehtësuese.
Në anën tjetër, autoritetet komunale kanë bërë të ditur se në Komunën e Prizrenit vazhdojnë të jenë 47 raste të të infektuarve me koronavirus.
Drejtori i Shëndetësisë atje, Visar Shehu, ka bërë thirrje që qytetarët të kenë durim edhe pak dhe t’i respektojnë masat e Ministrisë së Shëndetësisë dhe rekomandimet e IKSHPK-së.