Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Presidenca i reagon Dedajt pasi ai e quajti Osmanin “të ashtuquajtur”

Ish-ambasadori i Kosovës në Maqedoninë e Veriut, Gjergj Dedaj, e ka quajtur “të ashtuquajtur” presidenten Vjosa Osmani, teksa ka dëshmuar të hënën në Gjykatën Speciale në Hagë.

Dedaj ka thënë se nga posti i tij prej ambasadori në vendin fqinj është larguar dhunshëm dhe politikisht nga Osmani.

“Në 2004 kam fituar ulëse në Kuvendin e Kosovës- deputet i Kuvendit të Kosovës. Kur është themeluar Këshilli Tranzitor kam qenë anëtar i Këshillit Tranzitor të Kosovës, zëvendësministër në disa dikastere, së fundi zëvendësministër i Jashtëm i Republikës së Kosovës dhe së fundmi kam qenë ambasador i Republikës së Kosovës që jam larguar dhunshëm, brutalisht dhe politikisht nga e ashtuquajtura Presidente Osmani për qëllime politike sepse në vend timin e ka dërguar burrin e saj dhe në bashkëpunim me ambasadën turke në Shkup më ka larguar nga pozita e ambasadorit”, tha Dedaj para Gjykatës Speciale.

Pas kësaj deklarate ka reaguar këshilltari për media i Osmanit, Bekim Kupina, i cili ka thënë se Dedaj po përhap gënjeshtra dhe po i referohet presidentes njësoj si Serbia.

“Gjergj Dedaj paska zgjedhur Gjykatën Speciale për të përhapur gënjeshtra lidhur me Presidenten Osmani, duke e quajtur me të njëjtat fjalë sikurse Serbia. Presidentja Osmani nuk është ‘e ashtuquajtur’, siç e cilëson Serbia dhe ti Gjergj, por ka më së shumti legjitimitet në historinë e Kosovës. Ti e di këtë, por s'të pëlqen ky fakt. Prandaj sot e bëre atë që di më së miri: gënjeve”, ka shkruar ai në Facebook.

Edhe Dedaj: Keqpërdorimi i pushtetit për të përndjekur kundërshtarët politikë është krim Arbëri Dedaj: Keqpërdorimi i pushtetit për të përndjekur kundërshtarët politikë është krim

Kupina ka shtuar se Dedajn e kanë larguar nga pozita shkeljet e tij.

“Bashkëshorti i saj as nuk ka qenë e as nuk është ambasador, ndaj ti jo që s'e di, por ama të pëlqen gënjeshtra si mjet viktimizimi. Ti je veç një përfitues nga gënjeshtra! Ne ende jemi në pritje të drejtësisë për kërcënimet me jetë që i ke bërë publikisht ndaj Presidentes dhe familjes së saj”, ka shtuar ai.