Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Dedaj: Keqpërdorimi i pushtetit për të përndjekur kundërshtarët politikë është krim

Ish-ambasadori i Kosovës në Shkup, Gjergj Dedaj ka reaguar pas aktakuzës që është ngritur ndaj tij nga Prokuroria Themelore në Prishtinë për kërcënim ndaj presidentes Vjosa Osmani.

Dedaj i ka quajtur akuzat shfrytëzim të detyrës për qëllime të përndjekjes politike.

“Keqpërdorimi i pushtetit, për të përndjekur kundërshtarët politikë, është KRIM! Poshtë shpifjet, linçimet, diskriminimi, shantazhimi dhe përndjekjet politike stalinisto-bolshevike në Kosovë, mbi baza politike, ideologjike, gjinore, rajonale, partiake, etnike dhe fetare”, ka shkruar ai në Facebook.

Të mërkurën Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se ndaj tij është ngritur aktakuzë për veprën penale “Kanosje”.

“Ju njoftojmë se më 20.10.2023, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë kundër personit me inicialet Gj.D., në drejtim të veprës penale ‘Kanosja’, nga neni 181 paragrafi 3 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së”, ka thënë për KOHËN zëdhënësja e kësaj prokurorie, Laureta Ulaj.

Pas shkarkimit nga posti që mbante, në një emision televiziv Dedaj kishte përmendur kanunin derisa fliste për Osmanin, ndërsa shkarkimin e tij e kishte konsideruar hakmarrje politike.

Edhe Ngrihet aktakuzë ndaj Gjergj Dedajt për kanosje të presidentes Arbëri Ngrihet aktakuzë ndaj Gjergj Dedajt për kanosje të presidentes

Pas deklaratës së tij, kabineti i presidentes pati njoftuar se Dedaj është denoncuar te organet e drejtësisë.