Disa vjet më parë Komuna e Lipjanit në bashkëpunim me kompaninë “Pastrimi” në vlerë mbi 50 mijë eurosh kanë ndërtuar kontejnerë nëntokësorë në shtatë pika të qytetit, mirëpo prej tre vjetësh këta kontejnerë kanë dalë jashtë funksionit shkaku i mospërdorimit të duhur nga qytetarët.
Në anën tjetër, qytetarët po kërkojnë një ambient të pastër me arsyetimin se janë taksapagues të rregullt ndaj faturave të kompanisë, raporton KOHA.
Festim Thaçi, banor në lagjen “Komandant Kumanova”, ka thënë se të gjithë janë taksapagues të rregullt për menaxhimin e mbeturinave, andaj ambienti duhet të jetë më i pastër.
Rreth kësaj çështjeje ka reaguar dega e PDK-së në Lipjan duke e akuzuar ekzekutivin për keqmenaxhim të parasë publike. Hyzer Risatni nga ky subjekt ka thënë se komuna ka bërë dështimin e radhës me kontejnerët nëntokësorë.
Zëdhënësi i Komunës së Lipjanit, Diamant Bytyqi, ka thënë se Komuna e ka përkrahur kompaninë për investime në kontejnerë nëntokësorë, ndërsa kompania është përgjegjëse për menaxhimin e tyre. Bytyqi po ashtu ka shtuar se Komuna ka shpërndarë 4500 shporta për mbeturina nëpër lagje e fshatra për t’i menaxhuar sa më mirë mbeturinat.
Në anën tjetër, Xhelal Krasniqi, drejtor i kompanisë “Pastrimi” në Lipjan, ka thënë se kontejnerët nëntokësorë e kanë formën e ngushtë për hedhjen e mbeturinave.
Sipas drejtorit Krasniqi, kontejnerët nëntokësorë mund të rikthehen në funksion, sepse kompania posedon edhe makineri adekuate për nxjerrjen e mbeturinave, mirëpo kërkohet një vetëdijesim i qytetarëve dhe një angazhim më i madh i Inspektoratit të Komunës.