Komuna e Lipjanit në bashkëfinancim me kompaninë “Pastrimi” kanë kontraktuar gjithsej tetë mijë kontejnerë për mbeturina, në mënyrë që secila familje në këtë komunë të kenë qasje individuale për hedhjen e mbeturinave.
Shpërndarja e kontejnerëve do të ndërlidhet edhe me kontratën për menaxhimin e mbeturinave nga kompania “Pastrimi”, e cila ka për qëllim që mbeturinat mos të hedhen vend e pa vend. Brenda një të ardhme të afërt pritet të bëhet edhe shpërndarja e tyre, ndërkohë që nga pagesa e mbeturinave do të lirohen të gjitha rastet me asistencë sociale.
Kryetari i Komunës së Lipjanit Imri Ahmeti, ka thënë se çdo familje do ta ketë shportën individuale, ku njëkohësisht do të krijohet edhe një listë e lirimit nga pagesa për familjet që janë me asistencë sociale.
“Me të përfunduar shpërndarja e këtyre shportave, do të fillojnë edhe masat ndëshkimore ndaj personave që hedhin mbeturina në vende të ndryshme dhe që dëmtojnë ambientin. Për familjet në asistencë sociale, ne do ta ndërtojmë listën e lirimit nga pagesa ndërsa në administratë do fillojmë të implementojmë rregulloren ku nuk mund të lëshohen dokumente, as leje ndërtimore, leje operimi dhe dokumente tjera, as për biznese pa pasur dëshmi që është pagues i rregullt i shërbimeve të mbeturinave”, ka thënë Ahmeti. Ai ka kërkuar nga të gjithë qytetarët ta mbajnë një ambient sa më të pastër.
Nga ana tjetër Xhelal Krasniqi, drejtor në kompaninë “Pastrimi” në Lipjan, ka thënë se kontraktimi i këtyre kontejnerëve ka qenë e domosdoshme për ta mbajtur një ambient sa më të pastër në komunën e Lipjanit.
“Për këtë projekt kemi marrë përkrahje të vazhdueshme nga komuna, e cila ka bërë plotësimin e nevojave për këtë kompani dhe po ashtu që punëtorët tanë ta kenë më të lehtë kryerjen e shërbimeve ndaj qytetarëve. Me këtë projekt do të ketë shërbime më cilësore për të gjithë qytetarët”, ka thënë Krasniqi.