Serbët në jug të Kosovës po solidarizohen me veprimet e serbëve në veri të cilët me protesta të ndryshme e së fundi edhe ngujimin e deputetëve të Listës Serbe në Kuvendin e Kosovës, po e kundërshtojnë taksën 100 % venë ndaj mallrave të Serbisë, transmeton Koha.net.
Më shumë se 20 orë kanë kaluar qëkur deputetë serbë të Listës Serbe janë mbyllur në Kuvendin e Kosovës duke kërkuar takim me komisarin evropian Johannes Hahn i cili sot arrin në Prishtinë.
Deputeti i Listës Serbe, Igor Simiq, ka thënë për rts se Hahni e ka marrë mesazhin e tyre por jo edhe informacionin se ata duan të takohen me të.
“Presim që BE t’i bashkëndjejë problemet me të cilat ballafaqohen serbët në Kosovë”, ka thënë Simiq.
Kryetari i komunës së Graçanicës, Sërgjan Popoviq, i ka këshilluar deputetë të qëndrojnë të ngujuar deri në realizimin e kërkesave, sepse, siç thotë, kjo mënyrë e luftës iu duhet serbëve në Kosovë.
Edhe
Deputetëve serbë u shkoi huq pritja e Hahnit në Kuvend
“Për bashkësinë ndërkombëtare deri më tash në një mënyrë nuk kemi ekzistuar, ajo merrej kryesisht me shqiptarët, kjo duhet të zgjasë derisa bashkësia ndërkombëtare ta kuptojë se pos shqiptarëve janë edhe serbët që duan të jetojnë këtu dhe ta ndërtojnë të ardhmen e vet”, ka theksuar për rts Popoviq.
Ai thotë se pas vënies së taksës rezervat po shpenzohen dhe se rezerva ka vetëm për pesë ose gjashtë ditë. Sipas tij situata e përgjithshme është e keqe dhe se qytetarët janë të shqetësuar.
“Po e përcjellim situatën. Jemi në kontakt të përhershëm me tregtarët. Në situatë më të vështirë janë vendet përreth si Priluzha e Babimoci”, thotë Popoviq, transmeton Koha.net.
Sipas tij disa artikuj janë shtrenjtuar, por në masë të madhe po respektohet marrëveshja me tregtarët që çmimet të mos ngrihen por që bashkërisht të gjendet zgjidhja.
Popoviq, i cili ka qenë deputet në përbërjen e shkuar të Kuvendit, thotë se solidarizohet me kolegët nga Lista Serbe dhe se është vështirë të jesh deputet në këtë parlament.
Edhe
Duke pritur… Hahnin
“Përvoja ime nga mandati i shkuar është se në mbi 200 ligje, ne kemi insistuar vetëm në tri amendamente e kolegët nuk patën mirëkuptim as për këtë”, ka shtuar Popoviq.
Hahn sot qëndron në Beograd dhe në orën 11 është paraparë takimi i tij me kryetarin e Serbisë Aleksandar Vuçiq.