Arbëri

Politizohet aksioni për shkyçjen e përdoruesve ilegalë të ujit në Graçanicë

Me rezistencë dhe me përplasje me pjesëtarët e Policisë dhe të medias, qytetarët serbë të Komunës së Graçanicës kanë kundërshtuar aksionin e kompanisë rajonale të ujësjellësit “Prishtina” për shkyçjen nga rrjeti të borxhlinjve e përdoruesve ilegalë të ujit.

Një lokali iu bë shkyçja për borxhin prej mbi 2 mijë eurosh. E pronarja serbe e ndërlidhi aksionin me përkatësinë e saj kombëtare.

“I kam fëmijët katër dhe gjashtë vjeç. Mos dhashtë Zoti që të më shkyçësh nga uji, se a e di çfarë ndodh më pas. Pse keni ardhur në fshatin tim. S’është e shqiptarëve, kjo është e serbëve”, ka thënë pronarja e lokalit.

E pronari i një shtëpie, që krahas për borxhin, nga rrjeti u shkyç edhe për shkak të kyçjes ilegale, i akuzoi punëtorët e Kompanisë së Ujësjellësit për veprime politike.

Për borxhin prej mbi 2 mijë eurosh dhe për mosposedimin e ujëmatësit, nga rrjeti u shkyç edhe shtëpia e një qytetari shqiptar.

E zëdhënësja e KRU “Prishtina”, Arjeta Mjeku, tha se aksionet e shkyçjeve do të vazhdojnë, pa përjashtime.

“Do të shkyçen pa përjashtim, pa diskriminim secili konsumator që ka borxhe ndaj Ujësjellësit. Shumë prej nesh kanë filluar ta politizojnë këtë çështje, mirëpo ne nuk kemi filluar realisht me Komunën e Graçanicës, ne kemi filluar me Komunën e Prishtinës para disa ditëve, sot jemi në Graçanicë”, ka thënë Mjeku.

E në fshatin Llapllasellë të Graçanicës aksioni vazhdoi me shkyçjet e shtëpive, pronarët e të cilave kanë mbi 3 mijë euro borxhe.

“Do të ankohem, ju nuk keni të drejtë të shkyçni. A keni urdhër gjyqësor për këtë? Ky është vend pronë private, a keni urdhër gjyqësor? Ju lutem largohuni. Nuk mund të hyni aty, alo, alo... Kjo është demokraci. Zotëri, unë kam qenë deputet, dikur kam qenë kryetar komune, pa urdhër gjyqësor nuk mundeni në pronën time”, ka thënë një banor.

Në KRU “Prishtina” njoftuan se aksionet të enjten do të vazhdojnë edhe në Komunën e Shtimes dhe më pas edhe në Lipjan e në komuna të tjera. Borxhi total për shërbimet e papaguara ndaj kompanisë ka arritur në mbi 45 milionë euro, 40 milionë nga sektori i amvisërisë e mbi 5 milionë nga sektori i bizneseve të vogla e të mëdha.