Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Në Graçanicë shkyçen borxhlinjtë

Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” ka nisur me shkyçjen e borxhlinjve të ujit në komunën e Graçanicës. Në një rast, një grua me mbi 2000 euro borxh për shpenzimet e ujit në shtëpi dhe në një lokal, është përplasur me gazetarët.

Ekipet e ujësjellësit po shoqërohen nga forcat policore në aksionin e zhvilluar të mërkurën.

Zëdhënësja e Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina”, Arjeta Mjeku, ka njoftuar se të mërkurën janë shkyçur katër konsumatorë që kishin borxhe mbi dy mijë euro në Graçanicë.

Në një adresim për media, Mjeku ka thënë se aksioni nuk ka filluar në këtë komunë, por në Prishtinë, andaj sipas saj, nuk duhet të politizohet si çështje.

“Sot jemi në komunën e Graçanicës për t’i shkyçur nga shërbimet e furnizimit me ujë të pijshëm të gjithë ata konsumatorë që kanë borxhe të papaguara ndaj shërbimeve të ujit dhe atyre që kanë kyçje ilegale. Deri më tash i aplikuam katër shkyçje të konsumatorëve që kishin borxhe mbi dy mijë euro dhe realizuam edhe një shkyçje tjetër për kyçje ilegale në furnizimin me ujë të pijshëm. Shumë prej nesh kanë filluar ta politizojnë këtë çështje, mirëpo ne nuk kemi filluar me komunën e Graçanicës, por me atë të Prishtinës para disa ditëve. Sot jemi në Graçanicë, nesër do të jemi në komunën e Shtimes, Lipjanit dhe kështu me radhë”, ka thënë ajo.

KRU “Prishtina” ka njoftuar ditë më parë se në një rast në Graçanicë kanë hasur në pishinë të mbushur me ujë të pijshëm.

Ka disa javë që Ujësjellësi në rajonin e Prishtinës ka alarmuar për borxhet e mëdha. Shkyçjet kanë nisur në disa rajone.

Edhe Politizohet aksioni për shkyçjen e përdoruesve ilegalë të ujit në Graçanicë Arbëri Politizohet aksioni për shkyçjen e përdoruesve ilegalë të ujit në Graçanicë

VIDEO:

VIDEO: