Arbëri

KRU “Prishtina” paralajmëron shkyçje për borxhlinjtë

Uji i pijshem

Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina”, ka njoftuar se borxhi ndaj shërbimeve të ujit është mbi 45 milionë euro, 40 milionë nga sektori i amvisërisë dhe mbi 5 milionë nga sektori i bizneseve të vogla e të mëdha.

Nëpërmjet një komunikate, “Prishtina” bëri të ditur se nga e mërkura (19 korrik) në orën 10:00 do të nisin shkyçjet për konsumatorët që kanë borxhe të mëdha.

“Nuk ka ujë të pijshëm pa paguar faturat e ujit, ngase kemi një kosto të lartë të trajtimit të ujit dhe shpërndarjes përmes tubacioneve primare, sekondare e terciare deri te konsumatorët. Nga dita e nesërme, 19 korrik 2023, duke filluar nga ora 10:00 do të rifillojmë me aksion intensiv me disa ekipe të shkyçjes, me fokus konsumatorët që kanë borxhe tejet të mëdha”, thuhet në njoftimin e KRU-së.

“Prishtina” bëri të ditur se aksioni për shkyçje do të bëhet me asistencë të Policisë, ndërsa do të bëhen në lagjet më të mëdha.