Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Policia përgënjeshtron mediat serbe: S’ka pasur asnjë situatë dramatike në Bërnjak

Policia e Kosovës ka përgënjeshtruar një raportim që ka qarkulluar në mediat serbe se kinse në pikën kufitare të Bërnjakut policë të Kosovës kanë tentuar të nxjerrin nga vetura një person e se KFOR-i e ka parandaluar incidentin.

Në një sqarim për media, Policia e ka quajtur këtë shkrim tendencioz e të pavërtetë.

Mediat në Serbi raportuan se sot në këtë zonë ka pasur një “situatë dramatike, ku kinse pjesëtarët e Policisë së Kosovës kanë tentuar të nxjerrin nga vetura një person për t'ia hequr tabelat e Serbisë dhe se KFOR-i e ka parandaluar incidentin”.

Megjithatë, sipas Policisë, ky raportim ka qëllim vetëm “dezinformimin e opinionit, nxitjen dhe krijimin e pasigurisë tek qytetarët dhe plotësimin e ambicieve të orientuara nga politikat e ndryshme nga jashtë”

“Referuar informacioneve zyrtare, të verifikuara mirë dhe saktë nga terreni, një rast i tillë nuk ka ndodhur fare, jo vetëm në pikën kufitare në Bërnjak por as edhe në ndonjë lokacion apo pikë tjetër kufitare, andaj kjo është vetëm një informatë e pavërtetë dhe tendencioze”, thuhet në sqarim të Policisë.

Edhe Policia demanton se janë rrahur tre serbë në Bërnjak Arbëri Policia demanton se janë rrahur tre serbë në Bërnjak

Policia ka thënë se është e angazhuar në garantimin e rendit dhe sigurisë publike, përfshirë edhe mundësimin e lëvizjes së lirë të njerëzve dhe mallrave.

Të hënën, Qeveria e Kosovës ka vendosur masën e reciprocitetit, duke mos lejuar qarkullimin e veturave me targa të Serbisë. Veturat me këto targa, në hyrje të Kosovës duhet të marrin targa të përkohshme, njësoj siç obligohen qytetarët e Kosovës me targa RKS t’i ndërrojnë ato kur futen në Serbi. Masa nxiti reagimin e serbëve që me vetura e kamionë kanë bllokuar që tash e tre ditë rrugët në drejtim të pikave kufitare në Jarinjë e Bërnjak në veri. Policia e Kosovës me njësi të shtuara është duke qëndruar në këtë zonë.