Ish-sulmuesi i njohur i Anglisë dhe Manchester Unitedit, Wayne Rooney, ka menduar vetëvrasjen gjatë karrierës si futbollist. Këtë e bëri të ditur Rooney në një episod të një podkasti, të publikuar të martën.
Si një nga futbollistët më të suksesshëm të Anglisë, Rooney kaloi vitet e para të karrierës duke luftuar me problemet e shëndetit mendor dhe alkoolizmin, tregoi ai në podkastin “Life at the Midpoint”.
“Më është dashur të prisja deri në mesin e të njëzetave, derisa preka fundin (para se filloja të ndihesha rehat me veten)”, tha 41-vjeçari Rooney.
“Shkoja në shtëpi, mbyllesha brenda për dy ditë dhe thjesht pija alkool. Dhe kjo ndodhte ndoshta në periudhën time më të mirë në karrierën si lojtar. Arrita në një pikë ku fillova të mendoja për vetëvrasje. Thjesht nuk doja të isha pranë askujt. Nuk doja të shihja njerëz në rrugë. Nuk doja të hyja nëpër dyqane”.
Legjenda angleze njoftoi se kjo situatë e çoi martesën e tij drejt shkatërrimit. Por bashkëshortja e tij, Coleen, luajti rol kyç në rikuperimin e futbollistit.
Rooney theksoi se nuk beson që abuzimi me alkoolin ndikoi në performancat e tij në fushën e lojës.
“Në fushën e futbollit ndihesha gjithmonë rehat. Por me gjithçka tjetër e kisha vërtet të vështirë të përballesha”.
Edhe pse më vonë Rooney ndoqi seanca terapie, ai shpjegoi se kultura rreth shëndetit mendor në futboll e pengoi të kërkonte ndihmë më herët.
“Nuk dëshiron të shfaqësh asnjë dobësi, ndaj përpiqesh ta fshehësh atë”, tha ikona e Unitedit.
“Edhe pse e dija se në çfarë gjendje ndodhesha, ishte e vështirë ta pranoja hapur, sepse kisha ndjesinë se po ta bëje këtë do të dukeshe më pak burrë”.
Rooney i dha fund karrierës në vitin 2021 dhe më pas ka punuar si trajner. Së fundi, në vitin 2024, drejtoi ekipin Plymouth Argyle.
Krahas karrierës si trajner, ai është i angazhuar edhe si ekspert i futbollit. Aktualisht po merr pjesë në një emision televiziv britanik.
Ai luajti 120 ndeshje për Anglinë dhe i realizoi 53 gola. Tek Unitedi ishte prej vitit 2004 deri në vitin 2017.