Avokati nga Fondi për të Drejtën Humanitare, Amer Alija, ka vlerësuar se vendimet e fundit të Gjykatës Speciale për dënimin e ish-presidentit Hashim Thaçi dhe të tjerëve për pengim të administrimit të drejtësisë kanë mangësi procedurale, të cilat, sipas tij, mund të ndikojnë në të drejtat e të akuzuarve.
Ai ka vlerësuar se Rregullorja e Procedurës dhe e Provave për dënimet në pengimin e administrimit të drejtësisë në Dhomat e Specializuara kanë mangësi në raport me Kodin e Procedurës Penale të Kosovës.
“Rregullorja e Procedurës dhe e Provave, në krahasim me Kodin e Procedurës Penale, është më e mangët. Ndoshta për arsye se është përpiluar me nguti, natyrisht që ka mangësi procedurale dhe mangësi që ndikojnë në të drejtat e të akuzuarve gjatë procedurës”, ka deklaruar ai në “60 Minuta” të KTV-së.
Alija ka ngritur si shqetësim edhe mungesën e një mekanizmi për bashkimin e dënimeve në rastet kur një person dënohet si për krime lufte, ashtu edhe për pengim të administrimit të drejtësisë. Thaçi është dënuar sot me 17 muaj burgim për pengim të administrimit të drejtësisë, ndërsa më 16 shtator ishte dënuar me 25 vjet burgim për krime lufte.
Sipas tij, në një situatë të tillë, Rregullorja e Procedurës dhe e Provave nuk e parasheh mundësinë e caktimit të një dënimi unik, ndryshe nga Kodi i Procedurës Penale në Kosovë, i cili ua njeh palëve dhe mbrojtjes të drejtën për të kërkuar bashkimin e dënimeve pas dy aktgjykimeve të formës së prerë.
Ai ka thënë se një person nuk duhet ta vuajë një dënim të plotë dhe më pas të vuajë edhe një tjetër, por duhet të ketë një dënim unik për të dy aktgjykimet.
Duke folur për rastin e Thaçit, Alija ka thënë se nëse shkalla e dytë e konfirmon vendimin e shkallës së parë për pengim të administrimit të drejtësisë, atëherë duhet të shqyrtohet edhe çështja e kompensimit për kohën e kaluar në paraburgim.
“Nëse shkalla e dytë e konfirmon vendimin e shkallës së parë, atëherë i bie që Thaçi e ka vuajtur dënimin dhe ka të drejtë në kompensim për ditët apo muajt që ka qëndruar më shumë. Edhe çështja e kompensimit është e mangët”, ka thënë Alija.