Philippe Diallo ka hyrë zyrtarisht në garën për president të FIFA-s, duke paralajmëruar se kundërshtarët e Gianni Infantinos duhet të bashkojnë forcat nëse synojnë të sfidojnë udhëheqjen aktuale të organizatës botërore të futbollit.
Presidenti i Federatës së Futbollit të Francës, i propozuar nga UEFA si kandidat për president të FIFA-s, ka bërë të ditur se do të kontaktojë kandidatin japonez, Kozo Tashima, me synimin për të krijuar një aleancë.
“Besoj se duhet t’i bashkojmë forcat nëse duam të fitojmë”, ka deklaruar Diallo në një konferencë për media në Paris.
Diallo ka konfirmuar se tashmë kanë pasur kontakte me Tashiman, por nuk ka dhënë detaje se si mund të konkretizohet bashkëpunimi apo nëse njëri prej tyre do të tërhiqet nga gara në mbështetje të tjetrit.
Francezi 63-vjeçar ka thënë se fillimisht nuk kishte planifikuar të kandidonte. Kandidatura e tij erdhi pasi Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s i kërkoi një ditë më parë të hynte në garë, ndërsa Federata Franceze e Futbollit e miratoi unanimisht kandidimin e tij.
Diallo ka bërë të ditur gjithashtu se e ka mbështetjen e presidentit të Francës, Emmanuel Macron.
Në paraqitjen e tij të parë si kandidat, Diallo ka kritikuar disa vendime të FIFA-s nën udhëheqjen e Infantinos.