Arbëri

Pesë rastet e reja me COVID-19 në Pejë janë persona kontakti me pacienten “zero” në këtë komunë

Pesë nga gjashtë rastet e dala pozitive të premten mbrëma me virusin COVID-19 janë nga Komuna e Pejës, të cilat e çojnë në gjashtë numrin e përgjithshëm aktual të të infektuarve më koronavirus në këtë komunë.

Rasti i parë në këtë komunë i diagnostikuar pozitivisht ka qenë një grua 73-vjeçare nga fshati Llugaxhi i Pejës. Ndërsa këto pesë rastet e sotme janë pikërisht persona të kontaktit të parë të pacientes “zero”.

Drejtori i Shëndetësisë në Pejë, Petrit Loci, konfirmoi për KOHËN se një nga të infektuarit që dolën sot pozitivë, është vajza e pacientes “zero”.

“Katër rastet e reja janë në fshatin Llugaxhi kurse rasti i pestë është në lagjen ‘Dardania’ në Pejë. Kjo në ‘Dardani’ është vajza e pacientes 73-vjeçare, që është e martuar dhe jeton në ‘Dardani’”, tha Loci.

Ai tregoi se të dy këto familje, ajo në fshatin Llugaxhi dhe kjo në lagjen “Dardania”, gjenden në izolim që nga java e kaluar, kur pacientes së parë testi në COVID-19 i ka rezultuar pozitiv.

Pacientja e parë, 73-vjeçarja nga Llugaxhia, ishte testuar pozitivisht në koronavirus me 26 mars. Një javë para se të diagnostikohej pozitivisht, saktësisht me 20 mars, ajo kishte shkuar për vizitë mjekësore në ambulancën e fshatit Baran dhe pastaj edhe Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Pejë, ku ajo ishte ekzaminuar dhe në mungese të simptomave të dyshuar, ajo ishte liruar në shtëpi si jo e dyshimtë.

Për shkak se kanë qenë në kontakt me personin e infektuar, para se ajo të dalë pozitiv, personeli mjekësor, pesë të ambulancës në Baran dhe mjekja në QKMF në Pejë, që kanë qenë në kontakt me pacienten 73-vjeçare, siç thotë Loci, janë vetizoluar menjëherë ditën kur është bërë e ditur se pacientja ka dalë pozitive ne këtë virus.

Loci tregoi se sot Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik kishte marrë mostrat për testim të këtyre gjashtë punëtorëve të shëndetit primar.

“Të gjashtë mostrat kanë dal negative. Këta punëtorë mjekësorë kanë pas kontakt me personin e parë”, tha Loci, i cili shprehet i çliruar që punëtorët mjekësorë dolën negativë, pasi që ata, pas kontaktit me pacienten e parë me COVID-19, kanë pasur kontakte edhe me pacientë tjerë deri ditën kur është diagnostikuar pozitivisht në COVID-19 pacientja nga Llugaxhia.