Arbëri

Katër gra u infektuan me koronavirus në Pejë pas vizitës te gjinekologu

Në Komunën e Pejës janë shtuar edhe katër raste të reja më virusin COVID-19. 

KOHA ka mësuar se të katër këto raste janë shkaqe kontakti me gjinekologun e Gjakovës, i cili para katër ditësh ishte diagnostikuar pozitiv me Covid-19.

“Bëhet fjalë për raste kontakti me një mjek jashtë qytetit të Pejës dhe që të gjitha janë të gjinisë femërore. Në mesin e tyre kemi edhe shtatzëna dhe fatmirësisht gjendja është stabile tek të gjitha rastet”, ka thënë drejtori i Shëndetësisë në Pejë, Petrit Loci.

Ndërkohë priten t’u nënshtrohen testimeve edhe një numër i rasteve të kontaktit që kanë rezultuar pozitive në Pejë, përfshirë një punëtor të një supermarketi në këtë komunë.

Drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik në Pejë, Arbnora Nurboja, ka thënë përmes telefonit se janë duke gjurmuar dhe identifikuar kontaktet e personit të infektuar.

“Ne do të vazhdojmë t’i testojmë dhe madje sipas prioriteteve të kontaktit të personit në fjalë. Jemi në terren, kemi shumë punë dhe nuk mund jap asnjë informatë tjetër, por do të fillojmë t’i testojmë, dhe normal që do të shohim se çka më tutje në bazë të rekomandimeve të IKSHP-së, Ministrisë së Shëndetësisë”, ka thënë Arbnora Nurboja, drejtoreshë e Institutit të Shëndetit Publik në Pejë.

Për punëtorin e infektuar me virusin korona, KOHA ka kontaktuar edhe menaxhmentin e “Interexit”, por ai nuk ka dhënë informata shtesë për rastin dhe masat konkrete që janë ndërmarrë, përfshire edhe izolimin e mundshëm të ndonjë punëtori tjetër që ka punuar bashkë me të infektuarin.

Deri tash në Komunën e Pejës janë diagnostikuar 21 veta pozitivisht me Covid-19, prej të cilëve 12 në qytet dhe 9 të tjerë në fshatra, ndërsa një 73-vjeçare ka vdekur javën e kaluar.