Në fshatin Llugaxhi të Pejës para 12 ditësh është regjistruar rasti i parë me koronavirus në këtë komunë.
Një banore e Llugaxhisë e moshës 73 vjeçare është pacientja “zero” me COVID-19 në komunën e Pejës dhe ndërkohë janë diagnostifikuar me koronavirus edhe pesë familjarë të 73 vjeçarës. Katër në Llugaxhi si dhe vajza e saj që jeton në lagjen Dardania në Pejë, raporton KOHA.
Prej që është diagnostifikuar rasti i parë me 26 mars por edhe pesë rastet tjera me 3 prill, organet komunale të Pejës nuk kanë dezinfektuar asnjëherë rrugët në këto dy vendbanime. Përreth fshatit Llugaxhi gjenden edhe fshatra Kosuriq, Gllogjani i Pejës dhe Nepole. Madje fshati Kosuriq është shumë afër me fshatin Llugaxhi, i cili nuk është në izolim, përveç familjes në të cilën janë diagnostifikuar deri tash pesë raste me virusin COVID-19.
Në fshatin Kosuriq shprehin shqetësimet e tyre pse komuna deri tash nuk ka dezinfektuar rrugët e këtyre fshatrave. Këtë shqetësim ata e kanë shprehur edhe me kërkesë publike drejtuar kryetarit të komunës së Pejës dhe shtabit emergjent, për të dezinfektuar rrugët kryesore të këtyre fshatrave, në të cilat, sipas kësaj kërkese të iniciuar nga të rinjtë e fshatit Kosuriq, banorët ndihen si më të rrezikuarit nga ky virus në komunën e Pejës.
“Ne kemi pritur që pasi është shfaqur rasti i parë me koronavirus në fshatin Llugaxhi, që vjen komuna dhe e bënë dezinfektimin e rrugëve të fshatrave, pa pas nevojë që të ketë ndonjë kërkesë nga banorët, pasi ashtu po bëjnë në gjithë botën rrugëve në vendbanimet ku janë evidentuar rastet me koronavirus. Së paku t’i kishin dezinfektuar rrugët në fshatrat Kosuriq dhe Llugaxhi se na në Kosuriq jemi kapur me fshatin Llugaxhi, ku janë pesë raste me koronavirus. Por edhe fshati Gllogjan i Pejës dhe Nepole janë shumë afër me njëra tjetrën këtu. Duhet që të dezinfektohen qendrat e këtyre fshatrave”, thotë Agron Kelmendi, banor i fshatit Kosuriq.
Me këtë kërkesë, banorët shpresojnë që komuna të intervenojë sa më shpejtë dhe të dezinfektojë rrugët në ato fshatra, pasi sipas tyre nuk po rrezikohen vetëm banorët në ato fshatra por edhe qyteti.
“Duhet të dezinfektohen rrugët që të mos përhapet virusi, sepse nuk rrezikohemi vetëm ne në fshat por edhe qyteti është në rrezik sepse ne dalim çdo ditë në qytet se nuk jemi në karantinë, përveç familjes në Llugaxhi me rastet e infektuar me virus. Kosuriqi e Llugaxhia nuk janë të izoluar e as nuk është e ndaluar lëvizja dhe dalja nga fshati dhe ne dalim çdo ditë në Pejë”, thotë Kelmendi, i cili shpreh çudinë e tij pse komuna nuk i ka dezinfektuar deri tash rrugët në ato fshatra si dhe rrugët në lagjen Dardania.
Prej që është shpallur situata emergjentë për shkak të pandemisë së koronavirusit, në Pejë vetëm një herë janë dezinfektuar rrugët kryesore dhe atë para dy jave, pavarësisht se kjo komunë që 12 ditë gjendet në listën e komunave me raste të koronavirusit.
E në komunë “arsyetohen” se shkak i mos dezinfektimit të rrugëve në vendbanimet ku janë shfaqur rastet me koronavirus, paska qenë moti i keq me shi e borë.
“E kemi në plan që ti dezinfektojmë rrugët në ato fshatra por edhe rrugët kryesore të qytetit dhe në lagjen Dardania. Deri tash nuk e kemi bërë pasi koha ishte jo stabile, pati të reshura bore e shiju dhe nuk kishte pas efekte dezinfektimi pasi ishte shpërlarë menjëherë nga shiu e bora. Tash koha është stabilizuar dhe planifikojmë të premten apo të hënë që ti dezinfektojmë ato rrugë. Këtë e bëjmë me automjetet e zjarrfikësve”, thotë drejtori i Shëndetësisë dhe personi kontaktues i shtabit emergjentë në Pejë, Petrit Loci, sipas të cilit aktualisht në këtë komunë nuk ka raste tjera të dyshuara me koronavirus.