Nofkën të cilën ia vuri vetes sa ishte kryetare e Kuvendit e arsyetoi edhe kur ngjiti majat e pushtetit në prill të 2021-s. Pas disa muajsh pasi u zgjodh presidenti, ‘Sherifja e re” shkarkoi Valdete Dakën nga pozita e kryesueses së Komisionit Qendror Zgjedhor (KQZ) me arsyetimin se ishte e njëanshme.
Daka kishte zhvilluar përplasje të forta me anëtarët e Vetëvendosjes në KQZ, të cilat përshkallëzuan edhe në akuza personale. Kulmi ishte moscertifikimi i Kurtit për zgjedhjet e 14 shkurtit për shkak të një dënimi. Kurti u la prijës i listës, megjithëse votat nuk iu numëruan. E, Osmani si e dyta u bë më e votuara në historinë e zgjedhjeve që kur ato mbahen me lista të hapura, duke marrë 300 mijë e 788 vota. Përveç Dakës, shefja e shtetit në bashkëpunim me Qeverinë ua ndërpreu mandatin edhe disa ambasadorëve të emëruar me çelës politikë nga qeveritë e kaluara.
Osmani ngjiti majat e pushtetit, pavarësisht përjashtimit që ia bëri Lidhja Demokratike, për shkak të kundërshtimeve pas prishjes së koalicionit LVV-LDK. Me një grup që ishin eksponentë të LDK-së, ajo vendosi ta krijojë Listën Guxo, me të cilën garuan brenda Listës së Vetëvendosjes. Por pasuesit e Osmanit nuk e shtynë përpara projektin për themelimin e partisë, e asnjë kandidat nuk e nxorën për zgjedhje lokale.