Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
LAJMET E MBRËMJES

Osmani pret “sqarimin” e Kushtetueses për emërimet në KQZ

Vjosa Osmani

Foto: Driton Paçarada

Presidentja Vjosa Osmani ka arsyetuar vendimin që të mos emërojë një anëtar të KQZ-së, pa e marrë paraprakisht mendimin nga Gjykata Kushtetuese. Kundër vendimit është pozicionuar edhe koalicioni i organizatave për vëzhgimin e zgjedhjeve, “Demokracia në veprim”

Prishtinë, 25 mars – Presidentja Vjosa Osmani ka thënë të mërkurën se është duke pritur një sqarim të Gjykatës Kushtetuese se a i takon Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) t’i ketë tre anëtarë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) apo Partisë Demokratike (PDK) dy.

Një ditë më parë u bë e ditur se Osmani i është drejtuar Kushtetueses me kërkesën për sqarime lidhur me emërimin e përbërjes së re të KQZ-së.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Pas zgjedhjeve të 2021-tës, nga partitë shqiptare, LVV-ja ka pasur dy anëtarë, PDK-ja dy, ndërsa LDK-ja e AAK-ja nga një. Por, dilema për përfaqësimin e ardhshëm në KQZ është ngritur pas propozimit të tre kandidatëve nga Vetëvendosje, e cila në zgjedhjet e fundit ka fituar 51.1 për qind të votave.

“(Pse nuk ka përfunduar emërimi i përbërjes, v.j.) Për shkak se janë kërkuar tre nga Vetëvendosja, janë emëruar vetëm dy. Janë kërkuar dy nga PDK-ja, është emëruar një, për shkak se ka më shumë propozime sesa që i lejon Kushtetuta. Dhe meqenëse kjo çështje deri tani nuk është sqaruar nga Gjykata Kushtetuese, kam kërkuar që ta sqarojë atë. Mirëpo ky rast është ngritur mbi një bazë tjetër ligjore, jo mbi të njëjtën që është ngritur në rastet e mëparshme, qoftë nga ish-presidenti Thaçi, qoftë nga ana ime. Se kjo çështje ka qenë e paqartë përgjatë viteve për secilin president në fakt. Dhe shpresoj që më në fund gjykata ta sqarojë”, ka thënë presidentja Osmani. “Në momentin që sqarohet, vijohet me emërimet”.

Dilemë për emërimet Osmani pati edhe më 2021 kur Vetëvendosje i fitoi zgjedhjet me 50.02 për qind të votave dhe e ka kërkuar edhe anëtarin e tretë në KQZ. Edhe atëherë presidentja iu pati drejtuar Kushtetueses për sqarime, porse Gjykata nuk e pati trajtuar lëndën, e për rrjedhojë Osmani nuk ka emëruar tre kandidatë të LVV-së, por e ka emëruar kandidatin e dytë të PDK-së në KQZ.
Ndryshe nga përbërja në shkuarje, në të renë Osmani nuk e ka emëruar anëtarin e dytë të PDK-së, ndonëse kësaj partie i ka kërkuar që t’i propozojë emrat e kandidatëve.

Presidentja ka thënë se Kushtetuesja nuk ka marrë vendim në të kaluarën për situata si e tashmja, prandaj i është drejtuar asaj.

“Jo, nuk e ka sqaruar fare. Pra, nuk ka marrë vendim. Në fakt, atëherë gjykata, meqenëse ne e kemi ngritur lëndën mbi bazën e nenit 84 pika 9, pra kemi dërguar kërkesë për sqarim, ka thënë që nuk mund të bëjë sqarime shkaku i një standardi të ri që e ka ndërtuar gjykata. Ndërkaq, tani e kemi ngritur rastin mbi një bazë tjetër kushtetuese, pra nenin 113 të Kushtetutës, dhe shpresoj shumë që gjykata do ta japë përgjigjen. Pra, nuk është që vetëm një anëtar i PDK-së nuk është emëruar; edhe një i LVV-së nuk është emëruar, në qoftë se i shohim propozimet e tyre. Dhe meqenëse aty është veç një vend, nuk i zë dy, duhet me pyet gjykatën se si të veprohet”, ka thënë ajo.

Sipas Kushtetutës, gjashtë anëtarë të KQZ-së emërohen nga 6 grupet më të mëdha parlamentare që nuk mbajnë vende të rezervuara. E, nëse në Kuvend ka më pak grupe parlamentare, Kushtetuta thotë se grupet më të mëdha mund të emërojnë anëtarë shtesë.

Në PDK, nëpërmjet një konference për shtyp, të martën, kanë shprehur shqetësim pasi presidentja nuk i ka emëruar të dy anëtarët e saj.

Në këtë parti kanë thënë se presidentja e ka shkelur Kushtetutën me refuzimin që ta emërojë kandidatin e PDK-së.

Edhe koalicioni i organizatave për vëzhgimin e zgjedhjeve “Demokracia në Veprim” (DnV) ka kundërshtuar vendimin e presidentes Osmani për ta referuar çështjen e emërimit të anëtarëve të KQZ-së në Gjykatën Kushtetuese, duke thënë se zvarritja e këtij procesi e dëmton funksionalitetin e institucionit. 

Në reagimin e DnV-së thuhet se mënyra e përbërjes së KQZ-së është e përcaktuar qartë në kuadrin kushtetues dhe atë ligjor përmes modelit strikt të përfaqësimit dhe ky model nuk lidhet drejtpërdrejt me rezultatin zgjedhor apo peshën politike të subjekteve në kuptim të numrave, por me parimin e balancës ndërmjet grupeve parlamentare që kanë të drejtë propozimi.

Më tej janë përmendur edhe rastet e mëhershme, përfshirë periudhën pas zgjedhjeve të vitit 2021, kur përbërja e KQZ-së është përcaktuar mbi bazën e modelit strikt duke kufizuar përfaqësimin e subjektit më të madh në dy anëtarë, pavarësisht rezultatit zgjedhor.

“Kjo praktikë përbën një standard – në harmoni edhe me Kodin e Praktikës së Mirë në Çështjet Zgjedhore të Komisionit të Venecias – të vendosur që ka garantuar funksionimin e balancuar të institucionit”, thuhet në reagim.

Sipas DnV-së, trajtimi i kësaj çështjeje si dilemë kushtetuese dhe referimi i saj në gjykatë nuk kontribuon në qartësi shtesë, por prodhon vonesa në një proces që kërkon vendimmarrje të drejtpërdrejtë. 

“Mosplotësimi i përbërjes së plotë të KQZ-së cenon konfigurimin e saj kushtetues prej 11 anëtarëve, duke ndikuar njëkohësisht në funksionimin dhe vendimmarrjen e saj”, është thënë më tej në reagim. 

DnV-ja ka bërë thirrje që emërimi i anëtarit të mbetur të KQZ-së të përmbyllet pa vonesa të mëtejshme, në përputhje me Kushtetutën, ligjin dhe standardet e vendosura në praktikë, në mënyrë që të ruhen funksionaliteti dhe besueshmëria e këtij institucioni.

Nga partitë shqiptare, presidentja ka emëruar Alban Krasniqin dhe Violeta Eminin si përfaqësues të LVV-së, Ilir Gashin të PDK-së, ndërsa nuk e ka emëruar Rashit Qalajn.

Nga LDK-ja e ka emëruar Sami Hamitin, ndërsa nga AAK-ja, Muharrem Nitajn.