Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Showbiz

David Guetta do të mbajë koncert në Shkup

David Guetta

David Guetta

Foto: Associated Press

DJ dhe producenti me famë botërore David Guetta do të performojë në Shkup më 8 shtator 2026, në kuadër të festimeve për 35-vjetorin e pavarësisë së Maqedonisë së Veriut.

Koncerti do të mbahet në stadiumin kombëtar “Toše Proeski” dhe po prezantohet si një nga ngjarjet publike më të mëdha të organizuara për festën kombëtare, ka shkruar First Balkan Media.

Sipas njoftimeve, ngjarja po përgatitet si një spektakël i madh në ambient të hapur, me produksion që pritet të jetë në nivel të koncerteve ndërkombëtare.

Organizimin e ka marrë përsipër “Avalon Production”, e cila e ka cilësuar koncertin si pjesën qendrore të programit për Ditën e Pavarësisë, duke theksuar rëndësinë simbolike dhe përmasat e tij.

Koncerti do të mbahet në mbrëmjen e 8 shtatorit, në të njëjtën ditë me festimet zyrtare të pavarësisë. Raportimet tregojnë se organizatorët synojnë që ngjarja të jetë sa më e qasshme për publikun e gjerë.

Çmimi simbolik i biletës është vendosur 35 denarë (50-60 cent), në nder të 35-vjetorit të pavarësisë.

Edhe Rita Ora koncert në Ohër në të njëjtën datë kur “Sunny Hill” mbahet në Prishtinë Showbiz Rita Ora koncert në Ohër në të njëjtën datë kur “Sunny Hill” mbahet në Prishtinë

Në disa njoftime, ngjarja përshkruhet edhe si koncert “falas” ose me qasje të gjerë publike, duke e paraqitur më shumë si një festë masive qytetare sesa si një koncert komercial.

Zgjedhja e Guettas konsiderohet si një përpjekje për ta ngritur festimin në nivel ndërkombëtar, duke pasur parasysh famën globale të artistit dhe ndikimin e tij në muzikën elektronike.

Organizatorët kanë deklaruar se performanca e tij pritet të tërheqë jo vetëm publik nga Maqedonia e Veriut, por edhe vizitorë nga rajoni, duke rritur kështu vëmendjen dhe promovimin e ngjarjes në arenën ndërkombëtare.