Në ditën e përmbylljes së mandatit, Vjosa Osmani është vlerësuar për punën që ka bërë kryesisht në politikën e jashtme. Komentatorë politikë thanë se, brenda shtetit, ajo shpesh u tregua e anshme dhe nuk përfaqësoi unitetin e popullit.
Me votat edhe të partisë që e braktisi, Vjosa Osmani siguroi postin e presidentit më 4 prill 2021.
Shumicën e votave ia siguroi partneri politik të cilit iu bashkua më 2020, Vetëvendosje, por, ato vendimtare ishin të Lidhjes Demokratike, parti që u përgjysmua në votë pas largimit të Osmanit.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoMë 2020 kur LDK rrëzoi Qeverinë Kurti I, pjesë e së cilës ishte, Osmani u rreshtua krah Vetëvendosjes.
Profili politik rebelues që ia nxori partia, ra në sinkron me partnerin e atëhershëm të koalicionit.
Osmani themeloi një subjekt politik me një numër njerëzish që lanë LDK-në dhe bashkë me Vetëvendosjen i hynë garës në zgjedhjet e vitit 2021.
Aty doli personi më i votuar në Kosovë me mbi 300 mijë vota.
E, pas zgjedhjeve mori pozitën më të lartë shtetërore.
Komentatorë politikë vlerësojnë se, për pesë vjetët e mandatit të saj, Osmani tregoi disa kualitete në arenën ndërkombëtare, por nuk ushtroi rolin unifikues brenda shtetit.
“Vërtet ka qenë pak a shumë e pamundshme për faktin se të gjithë presidentët edhe në të kaluarën siç ka qenë zoti Fatmir Sejdiu dhe natyrisht edhe Vjosa Osmani aktualisht dhe zoti Thaçi, kanë rrjedhur nga koalicione partiake, kësisoj është shumë e vështirë që të ruhet ai uniteti siç e kërkon Kushtetuta dhe natyrisht më shumë mbrohen interesat e koalicionit politik”, ka thënë Arbnor Sadiku, analist politik.
Edhe analisti politik Adrian Zeqiri vlerëson se Osmani mori anë, gjatë ushtrimit të mandatit.
“Në situata të caktuara ka ditur të marrë anë partiake, sidomos gjatë periudhës së vitit të kaluar ku është parë haptazi që ka mbështetur qëndrimet e Lëvizjes Vetëvendosje dhe z. Kurtit. I kujtojmë rastet në Gjykatën Kushtetuese dhe caktimin e datës së zgjedhjeve e kështu me radhë. Kanë qenë krejtësisht qëndrime të cilat kanë qenë në unison me zotin Kurti dhe Lëvizjen Vetëvendosje”, ka vlerësuar Zeqiri.
Në fund të mandatit, ajo pati probleme të brendshme edhe me Vetëvendosjen, pasi kjo parti nuk tregoi angazhim për t’ia siguruar votat për mandatin e dytë. E, me kryeministrin Albin Kurti nuk foli me një gjuhë jo rrallëherë, për çështje që lidhen me koordinimin me aleatët.
Analistët politikë vlerësojnë qëndrimet dhe veprimet e Osmanit në raport me ndërkombëtarët.
"Vjosa Osmani në politikën e jashtme ka pasur suksese jashtëzakonisht të mira duke mbajtur raporte jashtëzakonisht të mira me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian. Përgjatë këtij mandati ka arritur të sigurojë disa njohje për Kosovën dhe të jetë pjesë e Bordit të Paqes", është shprehur Sadiku.
Edhe Adrian Zeqiri thotë e ka vlerësuar angazhimin diplomatik të Osmanit.
“Qëndrimet e saj sidomos në dy-tre vjetët e fundit kur Qeveria e Kosovës ishte e izoluar, qëndrimet e saj kanë qenë jashtëzakonisht konstruktive. Ka arritur të mirëmbajë raportet me Bashkimin Evropian. Ka qenë e ftuar rregullisht në samitet ku Kosova është përfaqësuar. E sidomos me administratën Trump, ku ajo arriti që të krijojë edhe një raport më të afërt me presidentin Trump”.
Osmani ka dhënë sinjale se përfundimi i mandatit nuk do të nënkuptojë pensionimin. Ajo ka paralajmëruar se do të jetë aktive në politikë.