Politologu Melazim Koci ka thënë se Serbia i ka dhënë fund narrativës për reformim e atij se është shtet pro-evropian me publikimin e memorandumit nga studentët serbë ku Kosovën e cilësojnë pjesë integrale të saj.
Ai ka theksuar se ky memorandum është kopje e atij të vitit 1986, madje sipas tij ky tash është me tone edhe më të ashpra kundër Republikës së Kosovës.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Jam i befasuar sepse është komplet ajo që kemi lexuar më 1986, është kopje e memorandumit të vitit 86 të Dobrica Çosiq. Është e habitshme edhe për një fakt, sot kam pritur që pjesa pro-evropiane në Serbi të reagoj, nuk reagoi. Kjo flet për një atmosferë të çuditshme në Serbi. Në këtë memorandum ka gjëra edhe më të ashpra se memorandumi i vitit 86. Në këtë memorandum nuk përmendën fare shqiptarët, ne nuk ekzistojmë. Ekziston vetëm territori i Kosovës si pjesë e Serbisë, thuhet ‘është pjesë përbërëse e Serbisë dhe ky fakt nuk është vetëm kategori kushtetuese por edhe imperativ historik dhe moral që nuk negociohet’. Në këtë formë nuk e ka pohuar as Dobrica Çosiq sepse ai si lider i nacionalizmit serb ka menduar që Kosovën duhet ndarë, këta nuk mendojnë kështu, këta mendojnë se Kosova e tëra është e Serbisë”, ka thënë ai në Interaktiv.
Ai ka dhënë mundësinë se lëvizje studentore që publikoi memorandumin të ketë jetë nisur si iniciativë për të kamufluar qëllimin e vërtetë propagandistik, e për të cilin mund të kenë pasur informacione edhe bashkësia ndërkombëtare. Koci ka shtuar se mund të jetë e prekur edhe nga shërbimi sekret rus.
“Mund të kenë pasur informacione të tjera [SHBA-BE] që mund të jetë se ka filluar si lëvizje spontane por që më pas të kenë depërtuar elemente të BIA-s serbe që ta prezantojnë Vuciqin si formë më të moderuar. Ose, me kohë në këtë lëvizje të jenë infiltruar elemente të shërbimit sekret rus”, ka thënë ai.
Studentë serbë me pretendimin se memorandumi është një lloj dokumenti zyrtar e shpallën “të miratuar” në Kragujevc. E në të thuhet se Kosova nuk është thjesht territor, “por përbërës i identitetit kombëtar serb” – një narrativë shpesh e thënë edhe nga zyrtarë serbë.
Në memorandumin kontrovers të Akademisë Serbe të Shkencave dhe Arteve (SANU) të vitit 1986 paraqiten pretendime për rrezikimin e popullit serb në ish-Jugosllavi.Kritikët e konsiderojnë këtë dokument si nxitës për luftërat e viteve ’90, që fillimisht nisën në Kroaci dhe Bosnjë e Hercegovinë, e më pas më 1998 edhe në Kosovë.