Oda e Afarizmit të Kosovës (OAK) është duke punuar vazhdimisht në mënyrë që kërkesat e bizneseve të adresohen në institucionet kompetente, kjo pasi klima e të bërit biznes në Kosovë nuk është e kënaqshme.
Kështu u tha në takimin e realizuar sot nga përfaqësues të OAK-së me drejtoreshën e Departamentit të Tregtisë në kuadër të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë (MTI), Sytrime Dervisholli.
Qëllim i këtij takimi ishte marrja e informatave të detajuara nga kërkesat, të cilat bizneset anëtare kanë adresuar paraprakisht tek OAK, e që njëkohësisht janë edhe preokupimi kryesor i tyre.
Kryetari i Odës së Afarizmit të Kosovës, Skënder Krasniqi, tha se bizneset kanë mungesë të informacionit në lidhje me atë që është nënshkruar përmes Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (MSA) dhe vazhdimisht po kërkojnë informata për lehtësirat dhe kufizimet që vijnë si rrjedhojë e saj.
Një nga rastet konkrete që u shpreh në takim u theksua edhe kufizimi që është bërë nga ana e MSA-së në eksportin e peshkut në vendet e BE-së .
Ndër të tjera, Krasniqi shprehu edhe shqetësimin e bizneseve për dhënien e lejeve nga institucionet vendore pa bërë paraprakisht analizën e tregut.
Dervisholli u shpreh e hapur që t’i informojë bizneset për çdo paqartësi të cilën ata kanë në lidhje me MSA dhe kërkesat tjera, e cila është përgjegjësi e departamentit që ajo e udhëheq.
Edhe
Përmirësimi i ligjeve ndryshon klimën e rëndë të të bërit biznes në Kosovë
Ajo gjithashtu shtoi që në momentin kur janë hartuar këto kufizime, MTI është kujdesur që të vendosë kufizime më të larta dhe ka të drejtë të kërkojë rritjen e kufizimit ashtu që bizneset të mos kenë nevojë të paguajnë tarifë.
Ndërsa për çështjen e lejeve të punës, Dervisholli tha se janë duke punuar në Ligjin për Tregti të Brendshme kjo pasi ligji aktual është nga viti 2004, dhe pavarësisht ndryshim-plotësimit të tij në vitin 2010, prapë nuk i rregullon çështjet e lejeve të punës. Sipas saj ky ligj pritet të aprovohet në tremujorin e parë të vitit 2019.
Në fund të këtij takimi palët u pajtuan për realizim të aktiviteteve të përbashkëta në mënyrë që të jenë sa më afër bizneseve dhe të ndikojnë pozitivisht në zhvillimin e bizneseve dhe vendit.