Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

OAK kërkon nga MTI-ja që të ketë prioritet problemet e zhvillimit të biznesit

Ligji për Tregti të Brendshme, Ligji për Shoqëritë Tregtare, produktet strategjike të vendit, kalibrimi i peshoreve dhe problemet me MSA-në ishin ndër temat e diskutimit të përfaqësuesve të Odës së Afarizmit të Kosovës (OAK) me ministrin e Tregtisë dhe Industrisë (MTI), Endrit Shala.

Kryetari i OAK-së, Skënder Krasniqi, ka përmendur ndër problemet kryesore të identifikuara nga OAK ishte Ligji për Investime Strategjike, kërkesat e të cilit u konsideruan si shumë të paarritshme nga bizneset, e që u konsiderua shkaku kryesor për numrin u ulët të aplikimit.

Sipas Krasniqit, bizneset në Kosovë nuk janë të informuara mjaftueshëm për kufizimet në prodhim dhe eksport të cilat vijnë si rrjedhojë e Marrëveshjes së Stabilizim – Asocimit (MSA).

Ai shtoi se ndërmarrja e hapave përkatës për informim të bizneseve për këto kufizime është e domosdoshme dhe se para nënshkrimit të marrëveshjes do të duhej të merren parasysh kapacitetet e bizneseve për eksport, transmeton Ksp.

Sipas Krasniqit, Këshilli Kombëtar për Zhvillim Ekonomik (KKZHE) ani pse është i obliguar me Rregullore të takohet së paku një herë në tre muaj, e sipas nevojës mund të takohet edhe më shpesh, gjatë vitit 2018 nuk është mbledhur asnjëherë.

Edhe Afaristët ankohen te ministri Shala Arbëri Afaristët ankohen te ministri Shala

Krasniqi shtoi që duke pas parasysh që ministri i MTI-së është i dyti në bazë të hierarkisë në këtë këshill, ai duhet të ndërmerr hapat e nevojshëm për përmirësimin e këtij rasti.

Ndërsa anëtari i Odës, Hysni Zogaj, ka theksuar mos pajisjen e inspektorëve me peshore të kalibruara e të cilat mund të merren edhe në terren po shkakton dëm për bizneset, pasi që disa po shesin produkte çmimi dhe pesha e të cilave po është në disproporcion.

Sipas Zogajt, mungesa e informatave për peshë të produkteve siç është buka, po dëmton edhe konsumatorët.

Ministri Shala, duke folur për kërkesën e OAK-së për KKZHE, shtoi që arsyeja kryesore e mos mbledhjes së këtij këshilli është mungesa e sekretariatit të këshillit, i cili po pritet të krijohet shumë shpejt.

Shala shtoi që është i interesuar që në çdo ligj dhe udhëzim administrativ të dalë nga MTI të ketë të përfshira kërkesat e bizneseve, për këtë arsye kërkoi edhe mbështetjen e OAK-së, marrë parasysh që është një zë i fuqishëm i biznesit.

Edhe Përmirësimi i ligjeve ndryshon klimën e rëndë të të bërit biznes Arbëri Përmirësimi i ligjeve ndryshon klimën e rëndë të të bërit biznes

Në këtë takim përfaqësuesit e OAK-së prezantuan edhe kërkesat e bizneseve anëtare drejtuar ministrit, ndër të cilat është edhe dëmtimi i bizneseve vendore nga importi kjo sepse nëse bizneset blejnë lëndën e parë jashtë vendit janë të liruara nga taksa doganore dhe TVSH-ja ndërsa nëse e blejnë në Kosovë duhet ta marrin me TVSH edhe pse është lëndë e parë.

Ministri theksoi që Ligji për Tregti të Brendshme do të bëhet, mirëpo ka nevojë për disa ndryshime të cilat duhet të përfshihen.