Arbëri

Hamza merr drejtimin e PDK-së, heq vijën e kuqe për LVV-në

Partia Demokratike e Kosovës ka zgjedhur Bedri Hamzën kryetar të ri në një garë pa kundërkandidat, pas dorëheqjes së Memli Krasniqit. Konventa është përcjellë me thirrje për unitet nga Hamza dhe Krasniqi, por edhe me kritika nga nënkryetari Enver Hoxhaj. Hoxhaj e ka cilësuar procesin si jodemokratik për shkak të preferencave publike që ka dhënë kryetari i deritanishëm për Hamzën

Partia Demokratike e Kosovës e ka zgjedhur për kryetar të saj Bedri Hamzën. Zgjedhja e Hamzës është bërë të hënën me shumicë votash në Konventën Zgjedhore të PDK-së, në të cilën nuk pati kundërkandidat.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të PDK-së u organizuan si rezultat i dorëheqjes së kryetarit të deritanishëm të partisë, Memli Krasniqi.

Gjatë fjalimit para delegatëve, Krasniqi ka thënë se nën udhëheqjen e tij për 4 vjet e 4 muaj PDK-ja është forcuar, por Kosova sipas tij, është dobësuar.

Ai është shprehur se PDK-ja ka nevojë për një moment të ri unifikimi dhe se sipas tij duhet që kryetari i saj të jetë edhe kandidati për kryeministër. Krasniqi ka kritikuar qeverisjen qendrore të Kosovës, për çka sipas tij, është një arsye më e fortë që PDK-ja të kthehet edhe më fortë dhe më e unifikuar.

“Ejani. Bashkohuni. Rikthehuni në shtëpinë tuaj politike. Asnjë prej nesh nuk jemi mbi familjen tonë politike. Le t’i forcojmë radhët dhe le t’i japim Kosovës atë që e meriton. Një alternativë të fortë, moderne, profesionale. Një qeverisje të kompetencës, jo të kaosit. Një lidership të unitetit, jo të përçarjes. Sepse, Kosova nuk ecën përpara pa një PDK të bashkuar”, ka thënë Krasniqi.

Me kërkesë të njëjtë për unitet u është drejtuar anëtarëve të partisë edhe kandidati i vetëm për kryetar, Bedri Hamza. Hamza ka deklaruar se në krye të PDK-së ambicie kryesore do ta ketë forcimin e PDK-së dhe të shtetit të Kosovës.

“Ambicia jonë do të jetë gjithmonë e përbashkët dhe kjo ambicie është për të forcuar partinë, ekipin dhe vendin tonë. Prandaj sot kemi nevojë për njëri-tjetrin, për t’u mbështetur për t’u respektuar dhe për të mos humbur askënd nga rruga jonë”, ka thënë Hamza.

Por para se kandidatura e Hamzës të dilte në votim, fjalën e ka kërkuar nënkryetari Enver Hoxhaj. Hoxhaj ka shprehur hidhërimin e tij pse partia nuk ia ka aprovuar kërkesën që konventa të mbahej një javë pas e të jepej më shumë kohë për kandidatura të tjera. Sipas tij, kjo ngjarje nuk është as historike, as demokratike. Ai ka thënë se garën e ka prishur kryetari i deritanishëm, Krasniqi kur që në momentin e dorëheqjes ka dhënë preferencën e tij për kryetarin e ardhshëm. Kësisoj, sipas Hoxhajt, nuk ka pasur më kushte të barabarta për të kandiduar.

“Me mënyrën se si janë shpallur zgjedhjet për pesë ditë, në mënyrën se si në konferencën e parë për shtyp e ka dhënë preferencën e tij, në mënyrën se si në televizion ka folur haptazi se mbështet një kandidat, në mënyrën se si ju ka ftuar disa prej jush si kryetarë degësh duke thënë që këtë duhet ta mbështetni ose kjo është preferenca ime, mendoj që e ka bërë garën të mbyllur dhe mendoj që nuk është garë e hapur, nuk është garë demokratike”, është shprehur Hoxhaj.

Me gjithë kundërshtinë për mbajtjen e një procesi zgjedhor në afat të shkurtër, Hoxhaj ka thënë se do ta respektojë vendimin e marrë nga delegatët.

Hamza është zgjedhur me shumicë gati absolute të votave të 457 delegatëve prezentë. Në fjalimin pas zgjedhjes së tij, ai i ka falënderuar delegatët dhe bashkëpartiakët për besimin, mbështetjen dhe drejtimin e ri që ia dhanë PDK-së.

Ai ka thënë se Kosova tani ka nevojë për PDK-në e bashkuar dhe me vizion të qartë. Ai është zotuar për rikthim të fuqishëm të partisë e për fitore të reja.

“Si kryetar i ri, premtoj se do ta hapim partinë tonë për secilin qytetar që dëshiron të kontribuojë. Do t’i forcojmë strukturat tona lokale dhe qendrore. Do të përfshijmë më shumë të rinj në vendimmarrje dhe aktivitete. Do ta ndërtojmë frymën e bashkëpunimit dhe të përgjegjësisë që Kosovës i duhet. Ne do të ecim vetëm përpara, me përgjegjësi, me maturi dhe me zotimet që do t’i mbajmë deri në fund. Rruga përpara kërkon guxim e vendosmëri. Dhe ne e kemi!”, ka thënë Hamza.

Po ashtu, ka thënë se nuk ka vija të kuqe për asnjë subjekt politik, teksa është pyetur nëse mund të bashkëpunojë me Lëvizjen Vetëvendosje.

“Unë asnjëherë nuk kam vendosur vija të kuqe dhe siç e pamë edhe në këto zgjedhje në balotazh, edhe ata që kanë vënë vija të kuqe, të gjithëve u kanë rënë. Krejt me krejt u bënë bashkë. Mendoj që ne duhet të jemi të përgjegjshëm para interesit të vendit dhe gjithmonë t’i bëjmë veprimet e duhura në dobi të vendit”, ka thënë ai.

Deri në mbajtjen e seancës së Kuvendit për votimin e Qeverisë së re ka kohë më së largu edhe deri të mërkurën.

Asnjëra nga partitë deri tash nuk është deklaruar se do ta votojë Qeverinë Konjufca, derisa të gjitha kanë bërë thirrje që në dhjetor të mbahen zgjedhjet e parakohshme.

Njësoj sikurse tash, edhe gara e kaluar për kryetarin e PDK-se, që është mbajtur në qershor, pati vetëm një kandidat, Memli Krasniqin, që e mori mandatin e dytë.

Krasniqi për herë të parë është zgjedhur kryetar i PDK-së në korrik të 2021-tës edhe atëherë pa u sfiduar nga ndonjë kandidat. Ai e ka pasuar Enver Hoxhajn, i cili ishte ushtrues i detyrës së kryetarit të këtij subjekti politik për tetë muaj, pasi kishte dhënë dorëheqje kryetari i atëhershëm, Kadri Veseli, kur Dhomat e Specializuara ia konfirmuan aktakuzën për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Partia Demokratike prej themelimit të saj është udhëhequr nga Hashim Thaçi deri më 2016 dhe më pas nga Veseli deri më 2020.

Në zgjedhjet e fundit, PDK-ja me kandidat për kryeministër Bedri Hamzën, doli parti e dytë, duke fituar 25 ulëse në Kuvend.


Bedri Hamza zgjidhet kryetar i ri i PDK-së

Bedri Hamza është zgjedhur kryetari i ri i PDK-së. Ai i ka falënderuar delegatët dhe bashkëpartiakët e tij për besimin, mbështetjen dhe drejtimin e ri që i dhanë PDK-së.

“Sot më dhatë një përgjegjësi të madhe, një nder të jashtëzakonshëm dhe një detyrë që e pranoj me nder dhe përkushtim të plotë. Falë punës, sakrificës dhe besimit tuaj, PDK-ja vazhdon të jetë shtëpia jonë e përbashkët”, ka thënë Hamza, pas votimit të tij si kryetar i ri i PDK-së.

Ai ka thënë se Kosova tani ka nevojë për PDK-në e bashkuar dhe me vizion të qartë.

 “Si kryetar i ri, premtoj se do ta hapim partinë tonë për secilin qytetar që dëshiron të kontribuojë. Do t’i forcojmë strukturat tona lokale dhe qendrore. Do të përfshijmë më shumë të rinj në vendimmarrje dhe aktivitete. Do ta ndërtojmë frymën e bashkëpunimit dhe të përgjegjësisë që Kosovës i duhet. Ne do të ecim vetëm përpara, me përgjegjësi, me maturi dhe me zotimet që do t’i mbajmë deri në fund. Rruga përpara kërkon guxim e vendosmëri. Dhe ne e kemi!”, ka thënë Hamza.

Ai i ka falënderuar anëtarësinë dhe strukturat e PDK-së për angazhimin dhe përkushtimin e tyre për Kosovën.

“Do t’i jap familjes sime politike gjithçka që mundem, ashtu siç ajo më dha gjithçka mua. Vazhdojmë së bashku, pa u ndalur, drejt fitoreve të reja. Faleminderit delegatë. Faleminderit PDK.”, ka përfunduar Hamza.

Foto: Driton Paçarada
Foto: Driton Paçarada


Hamza: PDK-ja është ndërtuar mbi sakrificë, jo mbi interesa personale

(E përditësuar 17:20) - Bedri Hamza, i cili pritet të jetë kryetari i ri i PDK-së, ka filluar fjalimin e tij para delegatëve në Konventën e 12-të të PDK-së.

Hamza e ka filluar fjalimin e tij duke i falënderuar aktivistët dhe anëtarësinë e PDK-së për punën, durimin dhe qëndrueshmërinë në kohë të vështira.

“Sot është një prej atyre ditëve kur shpirti i PDK-së flet më shumë se çdo fjalë. Dhe unë, para jush, ndjej një peshë të madhe: peshën e përgjegjësisë. Përgjegjësinë ndaj sakrificës suaj, ndaj çdo ditë pune, çdo orë mundi e çdo sakrifice që keni bërë për partinë dhe vendin tonë. Ndjej përgjegjësi ndaj rrugës sonë të përbashkët, ndaj historisë që e kemi shkruar me punë e përkushtim dhe ndaj të ardhmes që po na pret. Ju falënderoj secilin prej jush, aktivistë të degëve, rininë e PDK-së dhe të gjitha strukturat, për punën, durimin dhe qëndrueshmërinë në kohë të vështira. Ju keni qenë gjithmonë motori i PDK-së. Pa ju, asnjë sfidë nuk do të ishte përballuar. Pa ju, asnjë fitore nuk do të ishte arritur”, u ka thënë Hamza, strukturave dhe delegatëve të PDK-së.

Ai ka thënë se si parti i kanë mbijetuar çdo goditjeje për një arsye të madhe.

“Sepse, PDK është ndërtuar mbi sakrificë kombëtare dhe jo mbi interesa personale. Sepse, PDK ka lindur në përballje, në qëndresë, në sakrificë. Sepse, në ADN-në e saj ka gjurmët e lirisë, ka idealin e rezistencës dhe ka frymën e UÇK-së”, ka thënë Hamza.

Hamza i ka përmendur edhe liderët e kësaj partie, të cilët janë në përfundim të procesit gjyqësor në Hagë.  

“Le t’i nderojmë liderët tanë historikë, të cilët me vizion, guxim e sakrificë e bënë Kosovën shtet të pavarur e sovran. Hashim Thaçin, nënshkruesin e marrëveshjes së Rambujesë, shpallësin e pavarësisë, kryeministrin dhe presidentin që e afirmoi Kosovën ndërkombëtarisht. Kadri Veselin, heroin e heshtur, çlirimtarin e madh dhe kryetarin që e modernizoi partinë. Jakup Krasniqin, politikanin e urtë dhe zërin e pathyeshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe të shtetit tonë. Sakrifica e tyre dhe e shumë të tjerëve është themeli mbi të cilin ne qëndrojmë sot”, ka thënë Hamza.  


PDK-ja sot zgjedh kryetarin e ri

Partia Demokratike e Kosovës ka njoftuar se të hënën do ta mbajë konventën e partisë për të zgjedhur kryetarin e ri.

Kjo konventë zgjedhore, e cila është e 12-ta për PDK-në, do të mbahet nga ora 16:30, ka njoftuar PDK-ja.

“Partia Demokratike e Kosovës mban sot Konventën e dymbëdhjetë Zgjedhore. Vendi: Hotel Emerald. Koha: 16:30”, thuhet shkurtazi në njoftimin për media të partisë.

Të mërkurën e javës që shkoi, Memli Krasniqi ka dhënë dorëheqje nga posti i kryetarit të PDK-së. 

Deri më tani, Bedri Hamza dhe Enver Hoxhaj e kanë shpallur kandidaturën e tyre për ta marrë drejtimin e partisë.

Ndërkohë që deputeti dhe anëtari i kryesisë së PDK-së, Enver Hoxhaj, ka kundërshtuar që zgjedhja e kryetarit të ri të këtij subjekti të bëhet sot, ashtu siç është shpallur nga kryesia. Hoxhaj të premten e javës që shkoj në një reagim në Facebook, ka thënë se PDK-së i duhet drejtim i ri i saj, jo skema të vjetra e ndërrim rolesh. Hoxhajt i është sekretarja e Përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku, e cila ka thënë se Konventa është thirrur në përputhje me statutin e partisë. Disa orë pas këtyre “mospajtimeve”, Hoxhaj ka konfirmuar vendimin për të garuar për kryetar të PDK-së.

Hamza thotë se s'ka vija të kuqe për VV-në

1 muaj më parë / 17 nën 2025 19:47
hamza

Photo: Driton Paçarada

Kryetari i ri i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza ka thënë se nuk ka vija të kuqe për asnjë subjekt politik, kur është pyetur nëse ka vija të kuqe për Lëvizjen Vetëvendosje.

Ai në një adresim për media ka thënë se në zgjedhjet e fundit u pa se ranë të gjitha vijat e kuqe.

“Unë asnjëherë nuk kam vendosur vija të kuqe dhe siç e pamë edhe në këto zgjedhje në balotazh, edhe ata që kanë vënë vija të kuqe, të gjithëve u kanë rënë. Krejt me krejt u bënë bashkë. Mendoj që ne duhet të jemi të përgjegjshëm para interesit të vendit dhe gjithmonë t’i bëjmë veprimet e duhura në dobi të vendit”, ka thënë ai.

Deri në mbajtjen e seancës së Kuvendit për votimin e Qeverisë së re ka kohë më së largu edhe deri të mërkurën.

Asnjëra nga partitë deri tash nuk është deklaruar se do ta votojë Qeverinë Konjufca, derisa të gjitha kanë bërë thirrje që në dhjetor të mbahen zgjedhjet e parakohshme.

Hoxhaj e quan Konventën e PDK-së improvizim: Më shumë skemë politike sesa garë e barabartë

1 muaj më parë / 17 nën 2025 17:34
enver hoxhaj

Photo: Driton Paçarada

Hoxhaj pas zgjedhjes së Bedri Hamzës në krye të PDK-së, ka thënë për mediat se PDK-ja duhet ta mbrojë demokracinë e brendshme.

Sipas tij, nuk mundet të pretendojë një parti politike që i shkel institucionet e saja të brendshme dhe që ajo sërish të jetë adresë e modernizimit të shoqërisë.

“Mendoj që kjo Konventë është një garë e mbyllur, një improvizim, sesa një garë e hapur. Por e respektoj vendimin e delegatëve. Jam i gatshëm që ta bëj garën jashtë që ta largojmë Kurtin. Zgjedhja e kryetarit të PDK-së do të duhej të shoqërohej me platformë se si të dilet nga kriza”, ka thënë ai.

Hoxhaj ka thënë se ka kërkuar një javë për të krijuar ekip dhe për të folur me elektoratin e PDK-së.

Ai e ka quajtur Konventën më shumë “skemë politike sesa garë e barabartë”.

 

 


Hoxhaj: Do të doja që kjo Konventë të ishte demokratike, Krasniqi e bëri garën të mbyllur

Ish-kryetari i kësaj partie, Enver Hoxhaj, ka thënë se Konventa e PDK-së ka qenë gjithmonë ngjarje e madhe për vendin.

Ai ka kritikuar kryetarin e deritanishëm, Memli Krasniqin, duke thënë se e ka bërë garën të mbyllur pasi hapur edhe në media edhe në konferencë ka mbështetur Bedri Hamzën.

Sipas tij, kjo Konventë do të ishte demokratike, nëse do të shtyhej për një javë.

“Kam pas dëshirë që kjo Konventë të mund të ishte ngjarje demokratike, dhe do të ishte e tillë po të shtyhej për një javë. Mes kohës dhe kualitetit duhet të vendosim për kualitetin. Kjo do të bëhej nëse do të ishte garë e hapur dhe do të merrnin pjesë më shumë kandidatë për kryetar. Në momente të caktuara duhet t’i thirrim ndërgjegjes sonë”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se nuk merr pjesë në garë pasi nuk sheh kushte të barabarta.

Krasniqi dorëzon mandatin: PDK-ja u forcua por Kosova u dobësua

1 muaj më parë / 17 nën 2025 16:53
Memli

Photo: Driton Paçarada

Kryetari i deritanishëm i PDK-së, Memli Krasniqi, në nisje të Konventës së kësaj partie ku pritet të zgjidhet kryetari i ri, ka thënë se momentet e tilla tregojnë se lidershipi është rrugët i jashtëzakonshëm kur përfundon aty ku ka filluar.

Ai ka thënë se delegatët e PDK-së ia dhanë besimin në një nga periudhat më të vështira të partisë.

“Kur mora drejtimin e partisë, PDK gjendej në një udhëkryq. E lënduar nga e kaluara, e tronditur nga ngjarje të papritura, dhe nën presion të madh politik. Me pesë komuna nën qeverisjen tonë, me 148 mijë vota në zgjedhje nacionale, me 18 deputetë dhe me rezultat 11% në sondazhe. Në atë periudhë, disa flisnin për rënie, disa për krizë, disa madje për fillim të fundit për partinë tonë. Por, së bashku, gur mbi gur, ditë pas dite, ne e ringritëm PDK-në”, ka shtuar ai.

Krasniqi ka kritikuar pushtetin aktual duke thënë se për pesë vjet institucionet kanë degraduar, ekonomia ka stagnuar dhe mirëqenia e qytetarëve është përkeqësuar.

“Prandaj sot, nga kjo foltore, dua t’u bëj një thirrje të qartë të gjithëve që qoftë edhe një herë gjatë jetës së tyre kanë thënë: Unë jam PDK: Ejani. Bashkohuni. Rikthehuni në shtëpinë tuaj politike. Asnjë prej nesh nuk jemi mbi familjen tonë politike. Le t’i forcojmë radhët dhe le t’i japim Kosovës atë që e meriton. Një alternativë të fortë, moderne, profesionale. Një qeverisje të kompetencës, jo të kaosit. Një lidership të unitetit, jo të përçarjes. Sepse, Kosova nuk ecën përpara pa një PDK të bashkuar”, ka theksuar Krasniqi.

Ai duke theksuar që kushdo që të zgjidhet kryetar i ri sot do ta ketë mbështetjen e tij të plotë, ka bërë thirrje për bashkim dhe unitet.

“Për Kryetarin e ri të Partisë Demokratike të Kosovës, megjithatë, kam një mesazh të shkurtër për fund: Çdo udhëheqës është vetëm një rojtar i përkohshëm i një rruge të gjatë. Sot, kur unë po e liroj vendin, dua ta marrësh me vete këtë mendim të lashtë, që dikur poetët e veriut e thoshin për ata që bartnin stafetën: “Rruga nuk i përket udhëheqësit - udhëheqësi i përket rrugës”. Do të vijnë ditë të lehta, por edhe ditë të rënda. Do të ketë duartrokitje, por edhe heshtje e kritika. Por, për sa kohë ecën me qëllim të mirë, me zemër të pastër dhe me punë të sinqertë, rruga vetë do të të udhëheqë”, tha Memli Krasniqi.

Pasi u kërkua nga sekretarja e partisë, Vlora Çitaku, që të gjithë ata që nuk janë delegatë ta lëshojnë sallë, anëtari i PDK-së, Xhavit Haliti nuk ka lejuar të përfundojë pjesa solemne e Konventës së PDK-së pa u miratuar dorëheqja e Krasniqit nga delegatët. Më pas, është hedhur në votim miratimi kësaj dorëheqjeje dhe është miratuar me shumicë votash.