Deputeti dhe anëtari i kryesisë së PDK-së, Enver Hoxhaj, ka kundërshtuar që zgjedhja e kryetarit të ri të këtij subjekti të bëhet në fillim të javës që vjen, ashtu siç është shpallur nga kryesia. Hoxhaj, në një reagim në Facebook, ka thënë se PDK-së i duhet drejtim i ri i saj, jo skema të vjetra e ndërrim rolesh. Hoxhajt i është përgjigjur udhëheqja aktuale e partisë. Sekretarja e Përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku, ka thënë se Konventa është thirrur në përputhje me statutin e partisë. Disa orë pas këtyre “mospajtimeve”, Hoxhaj ka konfirmuar vendimin për të garuar për kryetar të PDK-së
Enver Hoxhaj, deputet dhe anëtar i kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, gjatë ditës së premte është deklaruar kundër që Konventa e këtij subjekti të mbahet të hënën, ndërsa në mbrëmje po ai ka konfirmuar kandidaturën për kryetar.
Në një status në Facebook, Hoxhaj ka thënë se ajo duhet të shtyhet për një javë, në mënyrë që anëtarësia e delegatët të njihen me kandidaturat e platformat e tyre për zhvillimin e partisë.
“Kërkoj nga Kryesia e PDK-së shtyrjen e Konventës për të paktën deri të dielën e ardhshme, sepse kështu do u jepej mundësia anëtarësisë dhe delegatëve të njihen me kandidaturat dhe platformat për zhvillimin e partisë dhe për çështje serioze që prekin vendin. Kjo do ta rriste cilësinë e kandidaturave dhe konkurrencën ndërmjet platformave, pasi zhvillimet e fundit kanë qenë të befasishme”, ka shkruar ai.
Ndërsa, në intervistën e dhënë në Klan Kosova, ai ka thënë se është i vendosur që të jetë pjesë e garës.
“Por, po kërkoj garë fer dhe të barabartë”, ka thënë Hoxhaj.
Dy ditë më parë, kryetari i deritanishëm i PDK-së, Memli Krasniqi, dha dorëheqje nga drejtimi i partisë. Ai mes tjerash tha se për pasues të tij preferon Bedri Hamzën, kandidatin për kryeministër në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, ndërkohë që ishte edhe kryetar i Mitrovicës së Jugut. PDK-ja me Hamzën doli e dyta në nivel nacional, e po ashtu PDK-ja e humbi edhe edhe komunën që ai e drejtoi për katër vite.
Sipas Enver Hoxhajt, që ka ushtuar detyrën e kryetarit të PDK-së nga fundviti i 2020-s deri në mes të vitit 2021 kur në krye të partisë u zgjodh Krasniqi, preferencat për kandidat të caktuar nuk e çojnë partinë përpara.
“Unë jam qartësisht kundër çdo imponimi, kundër çdo tentative për të orientuar garën dhe kundër çdo formule që shpërfill bazën dhe delegatët. PDK-ja ka nevojë për drejtim të ri, jo për skema të vjetra; ka nevojë për vizion të ri, jo për ndërrim rolesh. Ky është momenti për t’i hapur rrugën ndryshimit të vërtetë”, ka shkruar ai.
Por, sekretarja e Përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku, ka thënë se Konventa është e ftuar në përputhje me statutin.
“Në mbledhjen e fundit të Kryesisë, pas dorëheqjes së kryetarit Memli Krasniqi, Kryesia vendosi të thërrasë Konventën e Jashtëzakonshme, e cila, bazuar në nenin 35 të Statutit të Partisë, duhet të mbahet brenda pesë ditësh”, tha ajo në një përgjigje për KOHËN.
Çitaku ka thënë se mirëpresin kandidaturat e çdo anëtari që plotëson kriteret e përcaktuara, por ka bërë thirrje për unitet e ka theksuar se më të rëndësishme e kanë fitoren në zgjedhjet parlamentare.
“Gara do ta bënte Konventën edhe më madhështore për secilin prej nesh, qofshim në garë ose jo. Është thelbësore që në përfundim të këtij procesi të dalim të unifikuar, me vizion të qartë dhe me platformë të fortë për zgjedhjet e përgjithshme që na presin shumë shpejt. Më e rëndësishme se gara e brendshme është fitorja jonë në zgjedhjet parlamentare. Sepse beteja kryesore politike për secilin prej nesh është ajo se kush do të jetë Kryeministri i ardhshëm i Republikës së Kosovës.”
Reagimin e Hoxhajt, analisti Basri Muja e sheh si konfirmim të fragmentimit që është brenda PDK-së. Sipas tij, gjasat më të mëdha për kryetar i ka Bedri Hamza, shkaku i përkrahjes që ka nga kryesia.
“Mendoj që më shumë kandidatura e rregullojnë sharmin e demokracisë sepse shkuarja vetëm me një kandidat mendoj që është vetëm një afër formalizimi i një kandidature., pres që të jetë një garë fer dhe të mirë”, ka thënë ai në emisionin “60 minuta” të KTV-së.
Por, sipas Mujës, anëtarët e PDK-së duhet të kenë kujdes, shkaku i pozitës, që ai tha, se janë ata.
“Njerëzit brenda PDK-së duhet ta kenë të qartë se pozitën e kanë të vështirë. Ekziston rreziku potencial për një çarje më të madhe kështu që do të duhej të kihej kujdes për zgjedhjen e kandidaturave. Unë edhe z. Hoxhajn edhe z. Hamzën i shoh si figura unifikuese. Mendoj që ata lehtë munden me u ulë dhe me u marrë lehtë për rrjedhën e konventës”, ka vlerësuar Muja.
Krasniqi, që dha dorëheqje dy ditë më parë, për herë të parë në krye të PDK-së, është zgjedhur në korrik të vitit 2021. Mandatin e dytë ai e siguroi pesë muaj më parë, në qershor të këtij viti.
Në konferencën ku njoftoi për dorëheqjen e tij, ai tha se vendimin e ka marrë pa u ndikuar nga askush. Ndër arsyet që përmendi, ai renditi rezultatin në zgjedhjet lokale e problemet në Drenas si edhe bindjen se kryetari i PDK-së duhet të jetë edhe kandidat për kryeministër, pozitë kjo për të cilën tha se nuk ka ambicie. E ishte pikërisht Krasniqi që në fillim të këtij viti provoi në “lëkurë” të qenit kryetar partie e jo edhe kandidat për kryeministër në zgjedhje
“Sot pas shumë kohë reflektimi besoj se ka ardhur momenti i duhur. Si një parti që beson në zhvillim duhet të besoj edhe në ripërtëritje. Një lidership që kërkon ndryshim për Kosovën duhet të ketë guxim të krijojë hapësirë për ndryshim brenda vetes”, tha ai, ditën kur kumtoi njoftimin për dorëheqjen.
Kryetari i deritanishëm i PDK-së, theksoi se dorëheqja nga drejtimi i partisë nuk do ta zbehë angazhimin e tij për ta forcuar PDK-në me synimin, siç tha, për ta hequr Albin Kurtin prej Qeverisë.
Krasniqi ishte udhëheqësi i katërt me radhë i Partisë Demokratike të Kosovës, pas Hoxhajt si ushtrues detyre. Para tyre PDK-në e kanë drejtuar, Hashim Thaçi nga themelimi më 10 tetor të viti 1999 e deri 2016 kur u zgjodh president i Kosovës. Në vend të tij, drejtimin e partisë e mori Kadri Veseli, deri kur ndaj tij Thaçit, Jakup Krasniqin e Rexhep Selimin nisi procesi gjyqësor në Hagë.
PDK-ja në zgjedhjet e fundit parlamentare ka dal partia e dytë pas LVV-së me 20.95 për qind të votave. Ndërsa në zgjedhjet lokale ky subjekt politik fitoi garën për kryetar në gjashtë komuna, një më pak se LVV-ja dhe LDK-ja. Pavarësisht rezultateve solide në të dy nivelet e zgjedhjeve, humbja e garës në zgjedhjet lokale në Mitrovicë të Jugut dhe në Drenas ka nxitur shumë reagime brenda partisë dhe mbështetësve të saj.