Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Hamza: Kam shpresuar se pas 16 shtatorit pozitën t’ua dorëzoja liderëve tanë

Bedri Hamza

Më pak se një vit pasi ka marrë drejtimin e PDK-së, Bedri Hamza ka dhënë dorëheqje të parevokueshme dhe u ka hapur rrugë për zgjedhjeve të brendshme në parti. Hamza ka thënë se synimi i tij ka qenë ruajtja e unitetit të partisë në mungesë të Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit, të cilëve, ai ka shpresuar t’ua dorëzonte drejtimin e partisë

Ende pa i mbushur një vjet si kryetar i Partisë Demokratike (PDK), Bedri Hamza të mërkurën ka dhënë dorëheqje të parevokueshme nga kjo pozitë.

Ai, në fjalimin e fundit si kryetar i PDK-së të mërkurën, tha se po u jep hapësirë zgjedhjeve të reja brenda partisë.

“Besoj shumë se çdo përgjegjësi e ka edhe kohën e vet dhe çdo kryetar duhet ta kuptojë se kur është koha të marrë përgjegjësi, por edhe se kur është koha të hapë rrugë për një fazë të re. Për mua kjo kohë tashmë veç ka ardhur”, ka thënë Hamza.

Hamza ka qenë ministër i Financave, guvernator i bankës Qendrore, e në vitin viti 2021 PDK-ja e rifitoi Mitrovicën, me të si kandidat për kryetar. Ai e udhëhoqi këtë komunë deri më 2025 dhe nuk rikandidoi për mandat të dytë.

Pas dorëheqjes së Memli Krasniqit, ai u pa si kandidat konsensual brenda partisë dhe si profil që do të mund ta masivizonte votën e PDK-së.

Kryetari i katërt i kësaj partie theksoi se asnjëherë nuk ka pasur ambicie që të konsolidohet si kryetar i PDK-së.

“Kam shpresuar deri në momentin e fundit se pas 16 shtatorit do të mund t’ua dorëzoj këtë përgjegjësi liderëve tanë të luftës dhe të paqes. Kam besuar se menjëherë pas 16 shtatorit ata do të ktheheshin dhe do të vazhdonin vetë rrugëtimin e tyre politikë. Edhe përkundër rrethanave të mia personale, kam qëndruar dhe kam vazhduar me shpresën se kjo shpresë po vinte”, ka thënë Hamza në konferencën për shtyp, ku e kumtoi vendimin për dorëheqje.

Ai iu referua ish-kryetarëve Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli, të cilët që nga nëntori 2020 ndodhën në paraburgim në Hagë, e muajin e kaluar bashkë me Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin u dënuan për krime lufte nga Specialja.

Hamza këtë pozitë e mori nga Memli Krasniqi në nëntor të vitit të kaluar, megjithëse edhe në zgjedhjet e rregullta të shkurtit të 2025-ës i priu listës së PDK-së dhe ishte njëkohësisht kandidati i subjektit për kryeministër. 

Hamza, që në garë zgjedhore mori pjesë tri herë si i pari i listës, arriti t’i rikuperoi humbjet në elektoratin e PDK-së pas zgjedhjeve të vitit 2021. 

Në shkurt të vitit të kaluar PDK-ja pati marrë 196 mijë vota, e në dhjetor 192 mijë. Rezultat më të dobët pati këtë vit, në zgjedhjet e qershorit ku PDK-ja me të në krye u votua nga 157 mijë qytetarë.

Hamza tha se një nga synimet e tij ishte ta ruante partinë në mungesë të liderëve.

“Kam punuar për të bashkuar aty ku kam pasur mundësi, kam punuar për të afruar aty ku kam pasur hapësirë dhe për të ruajtur unitetin edhe atëherë kur ka qenë bukur e vështirë. Kam bërë përpjekje që askush të mos mbetet i përjashtuar, që askush të mos ndihet i harruar dhe që secili ta ketë vendin e vetë në familjen tonë politike. Nuk e kam ndryshuar asnjë strukturë të partisë, nuk e kam zhvendosur asnjë individ”, ka thënë ai.

Gjatë periudhës që Hamza i priu partisë, vendi u përball me krizë institucionale që zgjati pothuajse dy vjet. 

Ai kontribuoi në përmbylljen e ngërçit kur para dy javësh arriti marrëveshje me kryetarin e Vetëvendosjes Albin Kurti, për zgjedhjen e presidentes Justina Shiroka Pula, një ish-ministre e PDK-së. Ujdia përfshiu edhe votimin në lexim të dytë të ndryshimeve në Ligjin për Gjykatën Speciale.

Hamza është një prej ligjvënësve të PDK-së në Kuvend.

Nga tash e deri në finalizimin e zgjedhjeve të rregullta, posti i kryetarit të PDK-së do të ushtrohet nga nënkryetarja Vlora Çitaku.

Çitaku e ka falënderuar Hamzën, për, siç ka thëën, për përkushtimin dhe mirëkuptimin gjatë rrugëtimit të përbashkët dhe për nivelin e bashkëpunimit.

“Bedri, ka qenë kënaqësi dhe nder të punojmë bashkë. Në një periudhë intensive, me tri palë zgjedhje nacionale në mes, maturia dhe besimi yt na kanë dhënë forcë për të ecur përpara. Ti e more përgjegjësinë e kryetarit i shtyrë nga nevoja për t’i shërbyer partisë dhe Kosovës, jo për ambicieje personale. Në një kohë të vështirë, ky angazhim ishte edhe në shërbim të çlirimtarëve tanë në Hagë, për të cilët u angazhove me tërë qenien”, ka shkruar Çitaku. “Jam e bindur se kemi ende shumë punë të mira për të bërë së bashku për PDK-në dhe Kosovën”.

PDK-ja pritet të hyjë në një proces zgjedhor, që do të përfshijë fillimisht degët e saj, ndërkaq strukturat që do të votohen, do ta zgjedhin edhe kryetarin e ri.