LAJMET E MBRËMJES

Memli Krasniqi jep dorëheqje nga drejtimi i PDK-së

Dorëheqje nga drejtimi i Partisë Demokratike të Kosovës ka dhënë të mërkurën Memli Krasniqi, pesë muaj pasi e ka marrë konfirmimin për mandat të dytë në këtë detyrë. Ai ka thënë se për këtë vendim nuk është ndikuar nga ndokush, teksa ka bërë të ditur se e ka thirrur për të hënën Konventën e jashtëzakonshme të partisë me qëllim të zgjedhjes së pasuesit. E si kandidat të preferuar e ka përmendur Bedri Hamzën

Pesë muaj pasi e ka marrë konfirmimin për mandatin e dytë në krye të Partisë Demokratike (PDK), Memli Krasniqi ka dhënë dorëheqje nga kjo pozitë.

Ai këtë vendim e ka bërë të ditur të mërkurën në një konferencë shtypi, teksa ka thënë se dorëheqja e tij është hap reflektimi dhe përgjegjësie për krijimin e një momentumi të ri për PDK-në.

“Sot pas shumë kohë reflektimi besoj se ka ardhur momenti i duhur. Si një parti që beson në zhvillim duhet të besojë edhe në ripërtëritje. Një lidership që kërkon ndryshim për Kosovën duhet të ketë guxim të krijojë hapësirë për ndryshim brenda vetes. Prandaj sot kam vendosur të jap dorëheqje nga pozita e kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës”, ka thënë ai.

Tek i ka numëruar arsyet që e kanë shtyrë për ta marrë këtë vendim, Krasniqi e ka përmendur bindjen se kryetari i PDK-së duhet të jetë edhe kandidat për kryeministër. E këtë ambicie ai ka thënë se nuk e ka, përderisa Kosova është rrugës për të mbajtur zgjedhje të mundshme të parakohshme.
Krasniqi ka listuar si arsye edhe rezultatin e PDK-së në zgjedhjet lokale si dhe problemet e shfaqura në komunën e Drenasit.

E për vendimin për ta lënë drejtimin e partisë, ai ka thënë se nuk është ndikuar nga ndokush.

“Zotëri (Hashim) Thaçi dhe zotëri (Kadri) Veseli as nuk janë përzier e as nuk përzihen në udhëheqjen, dhe as në vendimet e PDK-së”, ka thënë ai.

Për punën e bërë në PDK gjatë katër vjetëve e gjysmë të drejtimit të tij, Krasniqi është shprehur krenar.

“Unë e kam marrë detyrën e kryetarit të PDK-së, në një udhëkryq të madh. Me vetëm 5 komuna nën udhëheqje dhe 148 mijë vota në zgjedhje nacionale. Me 8 deputetë dhe me mbështetje rreth 11 për qind në sondazhe. Sot jam krenar me atë që kam arritur, por kjo nuk është përmbushje e ambicieve tona”, ka theksuar ai.

Krasniqi e ka thirrur për të hënën mbajtjen e Konventës së jashtëzakonshme të partisë e ku ka thënë se do të zgjidhet kryetari i ardhshëm i PDK-së. Për pasues të tij, ai e ka shprehur si preferencë Bedri Hamzën.

“Jam i bindur që kandidati i PDK-së për kryeministër duhet të jetë Bedri Hamza, sepse jam po ashtu i bindur që është kryeministri më i mirë që mund ta ketë Kosova sot. Dhe, normalisht që nëse miku im Bedri Hamza kandidon për të qenë kryetar i PDK-së, ai e ka mbështetjen time të plotë”, është shprehur ai, teksa ka bërë zotimin për ta vazhduar angazhimin përbrenda partisë dhe “për ta hequr Albin Kurtin prej Qeverisë”.

Vendimi i Krasniqit për dorëheqje nga drejtimi i PDK-së është përcjellë me reagime nga eksponentë të kësaj partie.

Bedri Hamza, i cili ka qenë kandidat i PDK-së për kryeministër në zgjedhjet e fundit të përgjithshme, ka thënë se Krasniqi e ka drejtuar partinë me vendosmëri dhe përkushtim në periudhat më të vështira të saj. 

“Respekt dhe mirënjohje për bashkëpunimin korrekt dhe për gjithçka që ke bërë për PDK-në, miku im! Sot, më shumë se kurrë, ne kemi nevojë të qëndrojmë të bashkuar, të përkushtuar dhe të vendosur përballë sfidave që na presin. Bashkimi, besimi dhe përkushtimi ynë i përbashkët janë forca më e madhe e PDK-së dhe garancia e suksesit tonë”, ka shkruar ai në Facebook.

Nënkryetarja e PKD-së, Vlora Çitaku, e ka falënderuar Krasniqin për drejtimin që ia ka dhënë partisë.

“E more drejtimin e PDK-së në rrethana të vështira. E ruajte, e rrite dhe e fuqizove, jo vetëm në vota, por edhe me kuadro të reja, energji dhe vizion. Sot, pas katër vjetësh që e udhëheq Partinë, respekti për ty vetëm më është rritur. Një lideri nuk i mjafton vetëm dija, i duhet edhe karakteri i fortë dhe zemërgjerësia. Ti i ke të dyja. Me falënderim, me respekt dhe me bindjen se do të qëndrojmë të bashkuar për një PDK edhe më të fuqishme”, ka shkruar ajo.

E kryetari i porsazgjedhur i Drenasit, Ramiz Lladrovci, i cili nuk është rikandiduar për këtë detyrë nga PDK-ja e udhëhequr nga Krasniqi, e ka kualifikuar të pritshëm vendimin e tij.

“Besimi im në sinqeritetin e anëtarësisë, ashtu dhe udhëheqësve të PDK-së, ka qenë i madh. Ky hap i pritshëm i kryetarit të deritashëm, Memli Krasniqi, do përshëndetur, njëherësh, duke i ofruar fuqishëm përkrahje kryetarit në ardhje, Bedri Hamza. Të jesh lider i partisë që buroi nga Drejtoria Politike e UÇK-së, është përgjegjësi e madhe, përgjegjësi për ta dërguar shtetin në nivel më të lartë, sinqerisht, me tërë forcat përparimtare të vendit”, ka shkruar ai.

Krasniqi është zgjedhur për herë të parë kryetar i PDK-së në korrik të 2021-tës, si kandidati i vetëm në garë. Ai e ka pasuar në këtë post Enver Hoxhajn, i cili ka qenë ushtrues detyre i kryetarit të këtij subjekti politik për tetë muaj. Në qershorin e sivjetmë, Krasniqi e ka marrë edhe mandatin e dytë po ashtu pa asnjë kundërkandidat.

Që nga themelimi e deri në vitin 2016, Partia Demokratike është udhëhequr nga Hashim Thaçi ndërsa deri më 2022, nga Kadri Veseli. Veseli ka dhënë dorëheqje në nëntor të 2020-tës, kur Dhomat e Specializuara ia kanë konfirmuar aktakuzën për krime lufte dhe për krime kundër njerëzimit.