Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

PDK-ja me kallëzim penal edhe ndaj Avni Deharit

Perparim Gruda

Foto: Driton Paçarada

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Përparim Gruda përmes një konference për media ka njoftuar se PDK-ja ka dorëzuar kallëzim penal edhe ndaj Avni Deharit.

Gruda ka thënë se si deputeti më i vjetër në Kuvendin e Kosovës, ai duhet ta thërrasë vazhdimin e seancës konstituive por një gjë të tillë nuk po e bën andaj kanë deponuar kallëzimin penal në Prokurorinë Speciale të Kosovës ndaj tij për “Shpërdorim të detyrës zyrtare”.

“PDK-ja sot depoziton një kallëzim penal në Prokurorinë Speciale ndaj deputetit Avni Dehari. Siç e dini për shkak të moshës është kryesues i seancës konstituive por këtë detyrë ai nuk po e ushtron në përputhje me rregulloren e punës së Kuvendit të Kosovës. Siç e dini Kuvendi duhet të mblidhet çdo 48-orë por Dehari nuk po e fton vazhdimin e seancës konstituive. Përkundër që ne i kemi dërguar disa letra, ai nuk ka reflektuar dhe nuk e ka thirrur seancën. Mendojmë se me këtë Dehari ka konsumuar veprën e shpërdorimit të detyrës zyrtare”, ka thënë Gruda.

Ndërkohë deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës prej ditësh tubohen para ndërtesës së qeverisë dhe kërkojnë që kryeministri në detyrë, Albin Kurti, të shkojë në Kuvend dhe të vazhdojë procesi i konstituimit të tij. Atyre iu bashkohen edhe ata të Aleancës.

E një ditë më parë PDK-ja dorëzoi kallëzim penal edhe ndaj Albin Kurtit dhe deputetëve të LVV-së të cilët sipas tij, mbajnë funksione të dyfishta - ministra dhe deputetë.

Ndërsa, Aleanca ka dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë Speciale në lidhje me 17 vendimet që janë marrë në mbledhje të Qeverisë në detyrë, e që kanë të bëjnë me emërimin e komisioneve për rekrutimin e zyrtarëve të lartë shtetërorë. Sipas Aleancës kjo është e ndaluar me Ligjin për Qeverinë dhe në vlerësimin e juristëve që e përfaqësojnë këtë lëndë, bie ndesh me ligjin.