Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Përparim Gruda përmes një konference për media ka njoftuar se PDK-ja ka dorëzuar kallëzim penal edhe ndaj Avni Deharit.
Gruda ka thënë se si deputeti më i vjetër në Kuvendin e Kosovës, ai duhet ta thërrasë vazhdimin e seancës konstituive por një gjë të tillë nuk po e bën andaj kanë deponuar kallëzimin penal në Prokrurorinë Speciale të Kosovës ndaj tij për “Shpërdorim të detyrës zyrtare”.
“PDK-ja sot do depoziton një kallëzim penal në Prokurorinë Speciale ndaj deputetit Avni Deharit. Siç e dini për shkak të moshës është kryesues i seancës konstituive por këtë detyrë ai nuk po e ushtron në përputhje me rregulloren e punës së Kuvendit të Kosovës. Siç e dini Kuvendi duhet të mblidhet çdo 48-orë por Dehari nuk po e fton vazhdimin e seancës konstituive. Përkundër që ne i kemi dërguar disa letra, ai nuk ka reflektuar dhe nuk e ka thirrur seancën. Mendojmë se me këtë Dehari ka konsumuar veprën e shpërdorimit të detyrës zyrtare”, ka thënë Gruda.