Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Dehari refuzon ta ftojë seancën konstituive, PDK-ja i thotë se s’është në kompetencën e tij

avni dehari

Kryesuesi i seancës konstituive të Kuvendit, deputeti më i moshuar, Avni Dehari, e ka bërë të qartë edhe të mërkurën refuzimin që të ftojë vazhdimin e seancës konstituive të legjislaturës së 11-të, pa marrëveshje politike paraprakisht. E ndaj kësaj ka reaguar Partia Demokratike e Kosovës që është mbledhur në Kuvend dhe i ka thënë Deharit se ai nuk e ka në kompetencë që të vendosë se kur duhet të vazhdojë konstituimi.

Në një shkrim në Facebook, deputeti i Vetëvendosjes ka thënë se në të kaluarën partitë nuk e kishin problematizuar çështjen e tejkalimit të afatit kushtetues prej 30-ditësh për konstituim. Ai ka përsëritur se pa marrëveshje politike mes partive për çështjen e presidentit, seancat do të ishin “shterpe”. Sipas tij, në të kaluarën ka qenë vetë kërkesë e opozitës që marrëveshja politike të bëhet para formimit të institucioneve.

“Ne edhe mund të thërrasim seanca shterpë të cilat vetëm sa i irritojnë qytetarët, mirëpo përvoja nga dy legjislaturat e kaluara na ka mësuar që e vetmja mënyrë për institucione stabile dhe për të evituar zgjedhjet, është përmes një marrëveshjeje politike në mes të partive parlamentare. Momentin e parë që kemi sinjale për marrëveshje politike që siguron formimin e të gjitha institucioneve dhe evitimin e zgjedhjeve, ashtu siç e ka kërkuar edhe vetë Gjykata Kushtetuese në aktgjykimet e vitit të kaluar, pra që palët të merren vesh në vend se të ketë tentativa pa rezultat, thirrja e vazhdimit të seancës konstituive bëhet formalitet ceremonial”, ka shkruar Dehari.

E ndaj kësaj ka reaguar Partia Demokratike e Kosovës që ka mbledhur deputetët në Kuvend sot. Në një reagim në Facebook, PDK-ja ka bërë thirrje për reflektim nga Dehari, të cilit i ka thënë se roli i tij si kryesues për shkak të moshës nuk ia jep kompetencën që të vendosë nëse dhe kur duhet të ketë konstituim.

“PDK është në Kuvend dhe kërkon me vendosmëri rikthimin e rendit kushtetues në vend. Reflektoni - HAPENI KUVENDIN! Z. Dehari, ju rikujtojmë se roli juaj si kryesues i seancës konstituive, sipas moshës, është i përcaktuar dhe i kufizuar nga Kushtetuta, aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese dhe Rregullorja e Kuvendit. Përgjegjësia juaj është të mundësoni zhvillimin dhe vazhdimin e seancës deri në konstituimin e Kuvendit. Nuk është në kompetencën tuaj që, mbi bazën e vlerësimeve apo konsideratave politike, të vendosni nëse dhe kur duhet të vazhdojë procesi i konstituimit të Kuvendit”, shkruhet në reagimin e PDK-së.

Të premten ka përfunduar afati 30-ditor për konstituim. Megjithatë, vazhdimi i seancës së nisur të enjten u mbajt të shtunën. Por edhe në këtë seancë, kryetari i subjektit më të madh politik, Lëvizjes Vetëvendosjes, Albin Kurti, kërkoi më shumë kohë për të negociuar me partitë tjera për çështjen e presidentit. Pas kësaj, ai u bë cak i hedhjeve me vezë nga deputetja e Aleancës, Time Kadrijaj.

PDK-ja ka refuzuar takimet me Kurtin. Njësoj ka vepruar edhe Aleanca.

Edhe Cakolli: Pa marrëveshje politike, seanca e nesërme do të jetë si të tjerat Arbëri Cakolli: Pa marrëveshje politike, seanca e nesërme do të jetë si të tjerat

I vetmi “partner” potencial deri tash është Lidhja Demokratike me të cilën ka pasur katër takime, por se të dyja palët kanë vlerësuar se janë larg marrëveshjes.

Vetëvendosje e vetme me partitë pakicë i ka numrat në Kuvend për konstituim dhe formimin e Qeverisë. Megjithatë, Kurti ka deklaruar se pa u zgjidhur çështja e presidentit - që kërkon 80 deputetë në sallë në dy rundet e votimit – atëherë “pashmangshëm shkohet në zgjedhje”.

Vetëvendosje i ka 53 deputetë, ndërsa LDK-ja 18.